Botë
Virusi Korona mori viktimën e pestë në Itali, merren masa për të penguar përhapjen e virusit
24.02.2020 16:08
Ka arritur në 5 numri i të vdekurve me virusin Korona “Kovid 19” në Itali....

Ka arritur në 5 numri i të vdekurve me virusin Korona “Kovid 19” në Itali, derisa njoftohet për 219 persona të infektuar. Për momentin janë 167 të infektuar në Lombardi, 27 në Veneto, 18 në Emilia Romagna, 4 në Piemonte dhe 3 në Lazio. Nga 213 raste pozitive, 99 janë të shtruar me simptoma në spital, 23 janë në kujdes intensiv dhe 91 në izolim në shtëpi.
Autoritetet italiane kanë marrë masa për të kufizuar përhapjen e epidemisë në veri të vendit. Numri i të infektuarve vazhdimisht po rritet, prandaj është anuluar karnevali i Venecias dhe një seri garash sportive. Rrugët janë bllokuar në shumë qytete të provincës së Lombardisë për të parandaluar lëvizjen e njerëzve. Asnjë tren nuk lejohet. Gjithashtu Venecia dezinfekton tërë transportin publik.
“Erdha të testohem, nuk kam simptome, por më mirë të sigurohem.”,- tha një qytetar.
“Kontrollet po realizohen pa probleme të mëdha.”,- theksoi një qytetar.
Autoritetet italiane ende nuk mund ta vërtetojnë burimin e virusit në veri të vendit.
“Ne nuk jemi në gjendje pandemie, por është mirë të përpiqemi të shmangim mbledhimet që mundësojnë përhapjen e virusit. Kështu që kemi mbyllur shkollat tona për 7 ose 14 ditë. Po ashtu janë anuluar të gjitha tubimet kulturore, rekreative, sportive apo fetare, madje edhe në vende të mbyllura ose të hapura për publikun.”,- tha këshilltari rajonal në Lombardi, Julio Galera.
Vendet fqinje po shqyrtojnë masat mbrojtëse pasi Austria pezulloi përkohësisht trafikun hekurudhor nga Italia dhe mundësia e mbylljes së kufirit po shqyrtohet. Italia është vendi i katërt që infektohet, pas Kinës, Koresë së Jugut dhe Japonisë. Koreja e Veriut ka vënë në karantinë rreth 380 persona për të parandaluar përhapjen e infeksionit. Ministria e Arsimit dhe Shkencës së Kroacisë ndërkohë lëshoi një rekomandim për të gjitha shkollat që t’i anulojnë udhëtimet për në Itali për shkak të mundësisë për përhapje të infeksionit. Bashkimi Evropian po përgatitet të përballet me virusin Korona.
“Po ndajmë 230 milion euro për të mbështetur luftën globale kundër koronavirusit. 114 milion prej tyre shkojnë në Organizatën Botërore të Shëndetit për Përgatitjet Globale. 15 milion janë për vendet partnere. 100 milion do të ndahen për hulumtime, zhvillimin e vaksinave dhe trajtimin, që do të kenë një përfitim global.",- u shpreh komisioneri evropian për menaxhimin e krizave të BE-së, Janez Lenarcic.
Në Kinë numri i vdekje ka shkuar në 2.442 persona, si dhe janë regjistruar 648 raste të reja me infeksion, ku ka arritur numri në 76.936. Jashtë Kinës më shumë se 1200 persona janë infektuar dhe mbi 12 kanë vdekur.
VLORA LATIFI TOPOJANI
