Maqedoni
Mickovski: Pas “bombave”, protesta para Prokurorisë
24.02.2020 16:59
Pas “bombës” së publikuar nga Antonio Milloshovski, e cila sipas tij është dëshmi se ka ndërhyrje të Zoran Zaevit....

Pas “bombës” së publikuar nga Antonio Milloshovski, e cila sipas tij është dëshmi se ka ndërhyrje të Zoran Zaevit në vendimet e pushtetit ekzekutiv dhe punën e Prokurorisë, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, ka bërë thirrje për protestë, nga e cila do të kërkohet përgjegjësi nga, siç u shpreh ai “koka e oktapodit”. Mickoski thotë se askush nuk beson në arsyetimin e Zaevit se bëhet fjalë për biseda kur kanë zhvilluar takime me tetë deputetët e VMRO-DPMNE-së si dhe me bllokun politik shqiptar, gjatë kohës që është diskutuar për rëndësinë e Ligjit për Prokurorinë, por duket qartë se përveç kryeministër, ai paska qenë edhe gjykatës edhe prokuror.
“Askush nuk beson se para 8 deputetëve, Zaev do të fliste dhe do të tentonte t’i bind sa është mirë që ata të përgjigjen për lëndët që ngadalë po humbin. Në thelb audio incizimi për mafian, tregon se Zaev është fajtor për padrejtësinë dhe këtu tri çështje janë të sakta. E para, kemi pranim publik se Zaevi e ka keqpërdorur pozitën zyrtare duke udhëzuar çfarë vendimi të marrë Gjykata Supreme. E dyta, ai publikisht e pranon se po stërzgjaten rastet dhe për strategjinë e tij e din edhe PSP edhe Katica Janeva - që ka qenë e vetëdijshme për tërë këtë. E treta, skenari se si të dështojnë rastet paska qenë e qartë, ose ligj për prokurorinë, ose citoj: vendim të Gjykatës Supreme.”,- tha lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski.
Madje Mickovski u bëri thirrje edhe partive shqiptare që t’i bashkëngjiten kësaj proteste.
LSDM: Mickoskit i erdhi urdhri nga Budapesti
Por, LSDM ka vlerësuar se urdhri për këtë protestë Mickovskit i ka ardhur nga Budapesti.
“Erdhi lajmi nga Budapesti: Hristijan Mickoski, përmbaruesi i Nikolla Gruevskit, nesër do të protestojë për padrejtësi! Kur panë se nuk kanë sukses që përmes bllokadave, kërcënimeve dhe kushtëzimeve ta ndalojnë në Kuvend Ligjin për Prokurorinë Publike, Mickoski dhe VMRO-DPMNE-ja tani do të protestojnë kundër drejtësisë, përgjegjësisë dhe gjyqësorit të pavarur.”,- tha zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, ka konfirmuar se zëri në audio regjistrimet në fjalë është i tij, por mohoi të jetë marrë vesh për vendime gjyqësore, por thotë se vetëm ka komentuar vendimet e Gjykatës Supreme.
Ndërkohë, nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion konfirmuan se Milloshoski është thirrur për të martën në Prokurori. Pasi të dorëzohen transkriptat, ato do të analizohen për të përcaktuar nëse ato mund të përdoren në marrjen e një vendimi të një prokurori publik. Ai do të duhet t’i dorëzojë materialet që i publikoi kur akuzoi se Zaevi së bashku me Jovo Vangellovskin dhe Katica Janevën është marrë vesh për shfuqizim të rasteve të PSP-së.
SANIJE DURAKU
