Maqedoni

Samiti i BERZh-it në Londër, pjesëmarrës liderët e Ballkanit Perëndimor

24.02.2020 17:12

Maqedonia e Veriut e ka prioritet integrimin në BE....

Maqedonia e Veriut e ka prioritet integrimin në BE, kurse rëndësi të veçantë i kushton bashkëpunimit rajonal. Kështu deklaroi kryeministri teknik, Oliver Spasovski, në Samitin e BERZh-it në Londër.
 
“Përpjekjet kryesore të Qeverisë janë të drejtuara në plotësimin e qëllimit për anëtarësim në BE, sidomos në sjelljen e vendimit për fillim të bisedimeve qasëse. Në atë drejtim e pranuam maksimalisht bashkëpunimin rajonal si parakusht për integrim në BE. Nuk ka pjesë në korridorin 8 që nuk punohet në infrastrukturën rrugore apo hekurudhore. Prioritet në infrastrukturë është ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë.”,- theksoi kryeministri teknik, Oliver Spasovski. 
 
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka mbrojtur idenë e shengenit ballkanik, duke thënë se kjo nismë është me rëndësi për marrëdhëniet ndërshtetërore të popujve të Ballkanit. 
 
“Deri në 2014 nuk ishim ulur kurrë kaq lehtë me njëri-tjetrin, pa armë, pa urrejtje, pa gjakderdhje, për të folur për të ardhmen. Natyrisht kemi probleme për të zgjidhur, por ne jemi duke punuar së bashku dhe duam të ndërtojmë së bashku të ardhmen e fëmijëve tanë. Nuk bie dakord me termin mini-shengen, nuk është aspak mini, pasi ne të jemi nga më të gjatët në rajon. Është një hapësirë rajonalë, ku bëhet fjalë për 4 liritë e lëvizjes.”,- tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Të ulur afër njëri-tjetrit, për herë të parë në Londër, në Samitin e BERZH-it, u takuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me kryeministren serbe, Ana Brnabiq. Kjo e fundit, siç informoi zëvendëspresidenti i BERZH-it, Jurgen Rigtering, nuk mbeti pa shfrytëzuar rastin të japë porosinë që Kosova sa më shpejtë ta heq taksën prej 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja. Ndërsa kryeministri i Kosovës, Kurti ka përmendur reciprocitetin dhe nevojën që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. 
 
“Diskutime fascinuese gjatë samitit të BERZh-it. Kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, argumenton se përmirësimi i tregtisë rajonale është çelësi i sigurisë në rajon. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pajtohet dhe kërkon reciprocitet dhe njohje të shtetit.”,- ka shkruar Rigtering në llogarinë e tij në Twitter.
 
Në këtë samit u diskutua për bashkëpunimin rajonal, ndërsa përfaqësuesit e shteteve të Ballkanit Perëndimor kërkuan që të rriten investimet në vendet e tyre. 
 
ERSAN PAJAZITI