Maqedoni
MPJ: 33 mijë shtetas të vendit, në Italinë veriore
24.02.2020 17:38
Rreth 23 mijë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut aktualisht ndodhen në rajonet kritike të Italisë....

Rreth 23 mijë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut aktualisht ndodhen në rajonet kritike të Italisë, si Lambardia, Veneto dhe Emilija-Romanja, ku është regjistruar prania e virusit vdekjeprurës Korona, njoftojnë nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut. Sipas kësaj ministrie, deri në këtë moment nuk ka informacione për qytetarë të RMV-së të cilët janë të prekur nga ky virus.
Filipçe: Mos udhëtoni drejtë Italisë veriore
Njëkohësisht, Ministria e Jashtme rekomandon masa kujdesi gjatë udhëtimit në rajonin e Lombardias, Venetos dhe Emilija Romanjas, gjatë kësaj periudhe. Edhe ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, fton qytetarët e vendit që nëse nuk kanë ndonjë rast urgjent të mos udhëtojnë në Italinë veriore.
“Dëshiroj të apeloj deri te të gjithë qytetarët nëse nuk kanë ndonjë nevojë urgjente t’i anulojnë të gjitha udhëtimet në rajonin e Italisë veriore. Ishim në kontakt intensiv me konsulin tonë në Venedik në këtë moment nuk ka të dhëna për shtetas të vendit të sëmurë apo nën vëzhgim në Itali.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Njëherit ministri tha se i është kërkuar konsullit që nëse ndonjë grup qytetarësh dëshirojnë të kthehen në vend, duhet t’i informojë autoritetet shëndetësore që të merren masat e nevojshme. Filipçe po ashtu bëri të ditur se në aeroportet e vendit nuk do të kontrollohen vetëm udhëtarët që vijën nga Stambolli dhe Dubai, por të gjithë pasagjerët do t’i nënshtrohen kontrollit.
“Në aeroportet e vendit do t’i ashpërsojmë masat dhe atë jo vetëm për udhëtarët që vijnë nga Stambolli dhe Dubai, por do të kontrollohen të gjithë pasagjerët që hyjnë në vend. Dua të apeloj deri tek të gjithë qytetarët që në rast se nuk kanë ndonjë rast urgjent, t’i anulojnë të gjitha udhëtimet në Italinë veriore. Sot ishim në kontakt me autoritetet tona në Itali, deri tani nuk kemi ndonjë shtetas të prekur nga ky virus.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Për të koordinuar aktivitetet parandaluese të përhapjes së virusit Korona - Kovid 19, është thirrur mbledhje e Qendrës për Menaxhim me Kriza.
GYLTENE SINANI
