Maqedoni

Kumanovë, Këshilli i komunës shpalli të martën ditë zie në Kumanovë

24.02.2020 17:46

Pas tragjedisë së djeshme në fshatin Rramanli, ku pas shpërthimit të bombolës së gazit humbën jetën 4 persona...

Pas tragjedisë së djeshme në fshatin Rramanli, ku pas shpërthimit të bombolës së gazit humbën jetën 4 persona, tre fëmijë në vendin e ngjarjes kurse personi i katërt në orët e mbrëmjes në klinikat e Shkupit, Këshilli i komunës së Kumanovës, sot mbajti seancë të jashtëzakonshme, në të cilën unanimisht me 27 vota pro, dita e martë u shpall ditë zie në komunën e Kumanovës. Me këtë vendim të gjitha ngjarjet, kulturore, muzikore e sportive, të parapara për ditën e martë, do të anulohen.
 
“Pa marrë parasysh përkatësinë nacionale apo fetare, të gjithë qëndrojmë pranë këtyre familjeve për t’iu ndihmuar qoftë në mënyrë institucionale apo jashtë institucionale, që sadopak të zbusim dhembjen jo vetëm të familjarëve, por të të gjithë kumanovarëve.”,- tha kryetari i komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
 
“Nuk kam fjalë për ta përshkruar këtë dhimbje, ne si këshilltarë komunalë jemi pranë familjeve të prekura nga kjo tragjedi, për çdo eventualitet apo nevojë.”,- u shpreh  koordinatori i grupit të këshilltarëve të BDI-së, Fatmir Idrizi.
 
“Si mjeke isha direkt e involvuar në rastin për t’iu ndihmuar kirurgëve në atë tragjedi dhe punë të madhe, pasi që numri i të lënduarve dhe viktimave ishte i madh, diçka e paparë në spitalin e Kumanovës, pamja ishte shumë e rëndë, dhembje që gati nuk mund të përballohet.”,- tha këshilltarja nga “ Alternativa”, Naile Osmani.   
 
“U apeloj organeve kompetente që kompanitë që merren me prodhimin e bombolave të gazit të kenë kujdes dhe që inspektoratet të bëjnë kontrolle më të rrepta ndaj këtyre prodhuesve të bombolave të gazit, që në të ardhmen të evitohen rreziqet e këtilla eventuale.”,- u shpreh Osama Muadini nga” Aleanca për shqiptarët”.
 
Të përkujtojmë se dje gjatë shpërthimit të bombolës në vendin e ngjarjes jetën kanë humbur tre fëmijët, Suejla Bajrami nga fshati Vishticë, nxënëse e klasës së 7 pranë Shkollës Fillore "Kultura", si dhe Fetije e Fatlum Saqipi, nxënës të klasës së dytë dhe katërt në Sh. F. “Bajram Shabani” në Kumanovë, të cilët një natë më parë kishin shkuar mysafirë tek gjyshërit në fshatin Rramanli. Ndërkaq, Shaip Alimi - 58 vjeç, ka ndërruar jetë në orët e mbrëmjes në Klinikat e Shkupit.
 
Varrimi i Suejla Bajramit u bë dje në varrezat e fshatit Vishticë, kurse vëlla e motër, Fetije e Fatlum Saqipi, u varrosën sot në varrezat e fshatit Allashec.
 
FATLUM AQIFI