Botë
Prishtinë, rezulton negative pacientja e kthyer nga Italia
24.02.2020 18:00
Ka rezultuar negativ rezultati i analizave rreth dyshimeve se një grua ishte shtrirë në QKUK....

Ka rezultuar negativ rezultati i analizave rreth dyshimeve se një grua ishte shtrirë në QKUK e prekur nga virusi Korona. Ajo u paraqit mbrëmë në Klinikën Infektive, pasi u kthye në Kosovë nga Italia.
“Është një paciente e cila ka qenë në udhëtim jashtë Kosovës, pra dhe meqenëse ka ethe kollitje të lehtë, atëherë ka kërkuar ndihmë mjekësore dhe ne për çështje të sigurisë e kemi izoluar pacienten.”,- tha drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj Berisha.
Në bazë të analizave të bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik rezultatet për këtë rast kanë rezultuar negative. Ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare ka bërë testimin në virusin, i cili ka rezultuar negativ, domethënë pacientja nuk është infektuar me virusin Kovid 19.
Autoritetet shëndetësore në Kosovë po ashtu thonë se po përcjellin me vëmendje situatën epidemiologjike me koronavirusin në botë dhe po marrin masat e nevojshme për pengimin e përhapjes së virusit në Kosovë.Për këtë qëllim është bërë ngritja e nivelit të vigjilencës dhe gatishmërisë për veprim në situatën e krijuar 24 orë në Aeroportin “Adem Jashari” dhe në hyrje-daljet e Kosovës, thuhet në komunikatën e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
FLORIJE BELULI KAMBERI
