Botë
Virusi Korona në Itali, rritet shqetësimi në Shqipëri
24.02.2020 18:23
Me përhapjen e shpejtë të virusit Korona në Italinë fqinje...

Me përhapjen e shpejtë të virusit Korona në Italinë fqinje, Shqipëria është përfshirë nga paniku dhe masa të shtuara sigurie.
Në mëngjes, ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, mblodhi task-forcën në Aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, ku konfirmoi edhe njëherë që në Shqipëri nuk ka asnjë person të prekur me virusin vdekjeprurës.
Por, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kërkoi nga qeveria që ta menaxhojë si duhet situatën e rrezikut me koronavirusin.
Ndërkohë, fluksi i emigrantëve shqiptarë të mbërritur nga Italia drejt Shqipërisë është shtuar. Ata tregojnë se u është matur temperatura me të mbërritur në Aeroport.
Edhe në Portin e Durrësit dhe të Vlorës numri i mjekëve në gatishmëri është shtuar, por jo të gjithë shprehen se janë kontrolluar.
Ndërkaq, nëpër farmaci janë shtuar kërkesat për maska dhe gjithashtu edhe mungesa e tyre.
LULJETA NDOKA
