Botë

Siri, luftime në rrugët e qytetit Kobani

07.10.2014 14:49

Forcat kurde janë duke luftuar me militantët e Shtetit Islamik në rrugët e qytetit kufitar sirian, Kobani, në përpjekje për mbrojtjen e qytetit nga militantët...

Agjencitë e lajmeve raportojnë se gjatë ditës së djeshme, xhihadistët kanë depërtuar në pjesën lindore të qytetit, duke përdorë tanke dhe makina të tjera ushtarake.

Më herët, gjatë ditës, flamujt e zi të militantëve të Shtetit Islamik janë parë duke valuar në ndërtesat në periferi të Kobanit, meqë duket se ishte shënuar avancim i militantëve.

Forcat kurde kanë bërë thirrje për sulme ajrore nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, në mënyrë që të mbrohet qyteti, duke thënë se sulmet ajrore, të ndërmarra javën e kaluar, ishin të pamjaftueshme.

Ofensiva e xhihadistëve, që filloi para tri javëve, sipas zyrtarëve të lartë të Turqisë, ka shkaktuar largimin e më se 185 mijë civilëve nga shtëpitë e tyre dhe kalimin e tyre në Turqi.