Maqedoni
Ministria e Shëndetësisë: Qytetari i kthyer nga Italia nuk ka Kovid 19
25.02.2020 12:22
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se një personi i cili ka arritur nga Milano në Shkup...

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se një personi i cili ka arritur nga Milano në Shkup, mbrëmë pasi është pranuar në Klinikën Infektive në Shkup, është testuar dhe ka rezultuar se nuk ka koronavirus. Pacienti ka pasur pasqyrë të lehtë klinike, nuk ka temperaturë të lartë dhe gjendja e tij shëndetësore është stabile. Ai ka kaluar përmes kamerës termale, e cila tek ai nuk ka regjistruar simptoma të sëmundjes.
Simptomat e para i ka ndjerë pas mbërritjes në shtëpi, pas çka është paraqitur në Klinikën Infektive në Shkup ku edhe është pranuar në orën 22:00. Nga arritja e tij në klinikë, pacienti është vendosur në izolim, pas çka i janë bërë teste në bazë të protokollit.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se po ndjekin situatën dhe në vazhdimësi veprohet sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndërsa prej sot do të zbatohen edhe masa të reja të përforcuara për parandalim të koronavirusit. Ndërsa pas mbledhjes së jashtëzakonshëm të Qendrës për Menaxhim me Kriza, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe bëri të ditur se do të formohet shtab i krizave që do të koordinojë të gjitha aktivitetet rreth virusit Kovid 19.
Filipçe po ashtu fton qytetarët e vendit që nëse nuk kanë ndonjë rast urgjent të mos udhëtojnë në Italinë veriore, e cila është prekur nga virusi korona. Ndërsa Ministria e Jashtme e vendit ka bërë të ditur se rreth 23 mijë shtetas të Maqedonisë së Veriut aktualisht ndodhen në rajonet kritike të Italisë si Lambardija, Veneto dhe Emilija-Romanja ku është regjistruar prania e virusit korona, por deri në këtë moment nuk ka informacione për qytetarë të RMV-së të cilët janë të prekur nga ky virus.
