Maqedoni
Kumanova në zi, kritike gjendja e tre të lënduarve në Rramanli
25.02.2020 15:04
Kumanova është në zi. Flamujt janë ulur në gjysmështizë, janë anuluar ngjarjet sportive dhe kulturore....

Kumanova është në zi. Flamujt janë ulur në gjysmështizë, janë anuluar ngjarjet sportive dhe kulturore. I gjithë qyteti ndjen dhimbjen e familjes e cila humbi 4 anëtarë të saj, mes tyre 3 fëmijë, nga shpërthimi i një bombole gazi, të blerë nga shitës të palicencuar. Edhe tre anëtarë të tjerë të familjes janë në gjendje kritike e mbahen në jetë me aparatura për frymëmarrje artificiale.
“Gjendja e pacientëve të cilët janë të lënduar nga eksplodimi i bombolës së gazit në Rramanli të Kumanovës, për fat të keq nuk është përmirësuar, të dyja gratë janë në gjendje mjaft të rëndë dhe gjenden në njësinë intensive për trajtim intensiv dhe gjendja e tyre është mjaft kritike. Ndërsa gjendja e pacientit i cili gjendet për trajtim intensiv në Klinikën e Neurokirugjisë gjithashtu është e rëndë, por për momentin është në gjendje stabile. Tre pacientët janë në gjendje të komës, respektivisht janë në respiratorë apo me frymëmarrje artificiale.”,- deklaroi drejtori i Qendrës Urgjente, Ilir Hasani.
Nuk janë në gjendje të mirë as tre të lënduarit e tjerë që gjenden në spitalin e qytetit. Një 31 vjeçare dhe një fëmijë 10 vjeçar kanë djegie të trupit mbi 70%. Edhe një shtatzënë 28 vjeçare ka pësuar djegie prej 25% të sipërfaqes së trupit. Tragjedia në Rramanli shton alarmin drejtuar autoriteteve për më shumë kontrolle ndaj shitësve të palicencuar të bombolave të gazit, që për fitime personale vënë në rrezik jetën e qytetarëve të pafajshëm.
REJHANE BUSHI METAJ
