Maqedoni
Aziri: Realizuam shumë projekte për kulturën shqiptare
25.02.2020 16:08
BDI prezantoi projektet e realizuara në kulturë nga viti 2017 deri më sot.....

Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës Valmir Aziri përmendi krijimin dhe ekipimin e Ansamblit Shqiptar të Këngëve e Valleve, themelimin e teatrove të reja në Shkup e Gostivar, rikonstruimin e muzeut të Alfabetit, fazën e parë të tetarit në Tetovë, fillimin e ndërtimeve të pallateve të kulturës në Bogovinë, Likovë e Vrapçishtit, marrëveshjen kolektive në kulturë, avancimin e 26 shqiptarëve në ministri, e sidomos ndarjen e drejtë të buxhetit për kulturën shqiptare. Tha se projektet janë realizuar në dakordim mes partnerëve të koalicionit.
“Deri në vitin 2017 punët kanë ecur shumë ngadalë, nga viti 2017 unë bashkë me ministrin Allagjozovski kemi shkuar në teren, kemi hasur në gjendjen e cila ishte dhe pastaj me vendim të qeverisë janë rialokuar mjete të mjaftueshme që për dy vjet të bëjmë punën që nuk është bërë gjashtë viti më herët. Dhe vijat e trasha po e them troç në Ministrinë e Kulturës për politikat për 2017-2022 i kemi sjellë unë dhe ministri Allagjozovski. Ajo që është bërë është bërë, Ansamblin e ideuam dhe realizuam atëherë.”,- tha sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Valmir Aziri.
PDSh: Ministri Ismaili punëson militantë partiakë
Por, punët në Ministrinë e Kulturës nuk shihen si kaq të suksesshme nga PDSh. Edhe pse partner në qeveri, partia e Thaçit akuzon se ministri i kulturës e ka kthyer këtë ministri në bastion të punësimeve partiake.
“Ministria e Kulturës është shndërruar në një bastion punësimesh me kontratë për militantët e partisë së ministrit, pa një koncept të qartë për përfshirjen e këtyre punonjësve, në bazë të një sistematizimi proporcional për sektorët përkatës si në rrafshin vertikal ashtu edhe në atë horizontal.”,- tha Sadije Ilazi nga PDSh.
PDSh dyshon edhe se ka favorizime partiake në ndarjen e mjeteve për financimin e projekteve në interes kombëtar për vitin 2020. Duke folur për shqetësimet e disa artistëve që janë ankuar për shumën e ndarë për projektet e tyre, sekretari Aziri thotë se artistët mund t’i ankimojnë vendimet zyrtare.
REXHEP QAMILI
