Maqedoni
Milloshoski dorëzoi “bombën” e dytë, PNKOK do të përcaktojë nëse ka bazë për hetime
25.02.2020 16:33
Deputeti i VMRO–DPMNE-së, Antonio Milloshoski, dorëzoi edhe “bombën” e dytë në duart e prokurores, Villma Ruskoska....

Ai dorëzoi në Prokurorinë për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit audio incizimin dhe transkriptat, ku dëgjohet zëri i ish-kryeministrit, Zoran Zaev, e për të cilën Milloshoski thotë se ka sjellë vendime në emër të Prokurorisë Supreme dhe PSP-së. Milloshoski i sugjeron Prokurorisë që të marrë në pyetje Zaevin dhe të mësojë prej tij se me cilët persona ka biseduar. E nëse kryeministri nuk e di nga i dolën bisedat, Milloshovski përkujton se sipas protokollit hyrja në Qeveri dhe në kabinetin e kryeministrit janë nën mbikëqyrje të përhershme dhe lehtë vërtetohet kush e ka vizituar kryeministrin në maj të vitit të kaluar.
“Ka dallim në deklaratën që e dha ish-kryeministri Zaev, se dyshon se e kanë incizuar disa deputetë, me të cilët ka bashkëpunuar dhe vetë transkripta ku informatori përmend se biseda është udhëhequr në prani të dy personave tjerë, krahas ish-kryeministrit Zaev, njëra e përfshirë në rastin “Zhvatja”, ndërsa personi tjetër me iniciale N. N.”,- deklaroi Antonio Milloshoski nga VMRO DPMNE.
LSDM: Milloshoski në panik, ka frikë për veten
Nga LSDM thonë se Milloshoski përhap panik, pasi që është i frikësuar nga veprat penale në të kaluarën e të cilat janë proceduar në Prokurori.
“Nga një njeri i tillë i cili është në panik dhe i frikësuar nga përgjigja që besoj se prokuroria do ta marrë parasysh diskutimin e një kolegu nga grupi i pavarur i VMRO-DPMNE-së, nuk mund të presim asgjë tjetër përveç se të shpërndajë lajme të rreme dhe panik për gjoja ndonjë “bombë”. E dimë se për çka bëhet fjalë, kishim mundësi t’i dëgjojmë materialet dhe absolutisht nuk bëhet fjalë për ndonjë moment nga i cili mund të komprometohet partia ose kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.”,- tha Konstadin Kostadinov nga LSDM.
Prokuroria e Ruskosës tani duhet të përcaktojë nëse dy audio xhirimet në të cilat dëgjohet zëri i ish-kryeministrit Zaev janë të dhëna të mjaftueshme për të hapur një hetim. Në regjistrimin e parë, sipas interpretimit të Milloshoskit, Zaev e ka ditur se si financohet 1TV, ku drejtor joformal ishte Boki 13, i akuzuari i parë në rastin “Zhvatja”, ku dhe është bërë financim i paligjshëm i OJQ-së “Lidhja Ndërkombëtare”. Në regjistrimin e dytë, sipas Milloshoskit, Zaev merret vesh për vendime gjyqësore.
SANIJE DURAKU
