Maqedoni
Deponitë e egra, pastrohet deponia pranë hekurudhës në Shkup
25.02.2020 16:59
Deponitë e egra nuk janë problem vetëm për zonat jashtë qyteteve....

Deponitë e egra nuk janë problem vetëm për zonat jashtë qyteteve, deponi të egra shohim çdo ditë vetëm pak metra larg vendbanimeve tona, deponi që bëhen nga qytetarët e pandërgjegjshëm. Një deponi e tillë ishte edhe ajo pranë stacionit hekurudhor në Shkup, ku hidheshin prej 20 vitesh mbeturina nga gjithkund. Prej sot, ky vend është kthyer në park.
“Bëhet fjalë për një sipërfaqe prej mbi 6.000 metrash katrorë dhe përmes NP “Rrugët dhe rrugicat”, në kohët e fundit kemi pastruar atë deponi të egër dhe kemi hedhur më shumë se 15.000 kub mbeturina. Sot po inspektojmë këtë hapësirë të re publike, ku duhet të mbijë edhe një park i vogël dhe shesh lojërash për fëmijë.”,- deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
Nga deponitë e egra do të pastrohen edhe komuna e Butelit, e Gjorçe Petrovit, Kisela Vodës e Karposhit. Shilegov u apelon qytetarëve që të jenë përgjegjës për mjedisin dhe të kenë kujdes ku i hedhin mbeturinat.
SEDAT SELIMI
