Maqedoni
Kovid 19, negative analizat e udhëtarit nga Dubai
25.02.2020 17:24
Dolën negative rezultatet e analizave nga udhëtari që erdhi nga Dubai 6 ditë më parë...

Dolën negative rezultatet e analizave nga udhëtari që erdhi nga Dubai 6 ditë më parë e që dyshohej se mund të ishte i infektuar me virusin Korona. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, thotë se ka sasi të mjaftueshme të materialit të nevojshëm mbrojtës, rreth 40 mijë maska dhe 10 mijë mantele dhe kostume mbrojtëse, e po përgatitet edhe furnizim shtesë.
“Apeloj deri tek të gjithë që kanë ardhur nga vendet kritike, t’iu përmbahen rekomandimeve. Dhe në rast se iu paraqiten simptomat, atëherë të mos shëtisin nëpër qendrat e shëndetit, por të telefonojnë në Qendrën për Shëndet Publik apo Institucionin për Shëndet Publik, në mënyrë që një ekip i pajisur siç duhet, t’i vizitojë ata në shtëpitë e tyre.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Autoritetet: Anuloni udhëtimet në Itali e vendet ku ka virus
Ai apelon që të anulohen të gjitha udhëtimet në Itali, posaçërisht në pjesën veriore të izoluar tashmë për shkak të virusit e sidomos të gjithë t’u përmbahemi rekomandimeve të mjekëve. Në të njëjtën kohë, të gjithë udhëtarët që vijnë nga zonat kritike në Itali, do të mund të kalojnë kufirin vetëm në pikëkalimet kufitare Bogorodicë, Bllacë, Deve Bair, Tabanoc dhe Qafë Thanë për kontroll edhe më të përqendruar. Edhe tre shtetas kinezë që kanë arritur në vendin tonë më herët, dolën negativë në testimet për infektim eventual.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se megjithëse të njëjtët e kanë kaluar tashmë fazën 14 ditore të karantinës, do të mbahen edhe për dy javë të tjera në izolim total, nën monitorimin e Qendrës për Shëndet Publik. Pas Italisë, ku numri i të vdekurve u rrit në 7 dhe janë edhe 283 të infektuar, Korona së fundmi u paraqit edhe në Austri, 2 raste u konfirmuan në Toroli, në afërsi të kufirit me Italinë. Një i infektuar edhe në Kroaci, teksa në Kinë numri i viktimave ka arritur në 2.600 persona dhe ka 508 raste të reja të konfirmuara me Kovid-19, gjithsesi ka edhe mbi 2.500 pacientë të shëruar.
VLORA LATIFI TOPOJANI
