Maqedoni
VMRO në marsh protestues, Gjorgjievski: Të ndalojmë zhvatjen dhe krimin
25.02.2020 18:11
VMRO-DPMNE, në marsh protestues kundër qeverisjes Zaev...

VMRO-DPMNE, në marsh protestues kundër qeverisjes Zaev, gjendjes në gjyqësi dhe të ashtuquajturit “regjim hibrid”. Sipas partisë së Mickovskit, ish-kryeministri, Zoran Zaev, në tre vitet e kaluara ka qeverisur si despot dhe në mënyrë kriminale. Akuzojnë se si ai është koka e “oktapodit” që kurdis akuza dhe gjykime.
“Krimi, korrupsioni dhe zhvatja duhet të ndalojnë. Maqedonia nuk ka më kohë për të humbur. Ftojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë, të cilët nuk duan që krimi të vazhdojë të mbretërojë, të na bashkëngjiten në marshin protestues të organizuar nga VMRO-DPMNE në orën 18, që do të fillojë para Prokurorisë Publike deri te Gjykata e lartë e RM-së.”,- tha Orce Gjorgjievski nga VMRO-DPMNE.
LSDM: VMRO në panik nga përballja me drejtësinë
Për koalicionin e kryesuar nga LSDM, opozita është në panik, pasi nuk ia doli të frenojë miratimin e Ligjit për Prokurori Publike dhe tani zyrtarë të saj të inkriminuar duhet të përballen me drejtësinë.
“Jam i bindur se pas miratimit të Ligjit për Prokurori Publike edhe prokurorët edhe gjykatësit do të kenë parasysh procedurat që ne si qytetarë i kërkojmë çdo ditë, që përfundimisht, kriminelët pas të cilëve qëndrojnë krime serioze, për shkak të regjimit të tyre gjatë qeverisjes 11 vjeçare, të mbajnë përgjegjësi.”,- tha Kostadin Kostadinov nga LSDM.
“Hristijan Mickovski nuk ia doli të realizojë urdhëresat e shefit të tij në Budapest, Nikolla Gruevski, ndërsa VMRO DPMNE nuk ia dili që në Kuvend të frenojë procesin e miratimit të Ligjit për PP. Me këtë ligj sigurohet barazi para drejtësisë, gjyqësi të fortë dhe të pavarur dhe përgjegjësi për çdo kënd që ka bërë krim.”,- u shpreh Sonja Mirakoska nga PRSD.
Marshi protestues i VMRO-DPMNE-së vjen pas miratimit të Ligjit për Prokurori Publike dhe atij për Këshill të Prokurorëve, të cilat VMRO nuk i përkrahu dhe të ashtuquajturave “bomba”, me të cilat opozita pretendon se ish-kryeministri Zaev është i përfshirë në krim.
SHPËTIM NUREDINI
