Maqedoni

Nesër pritet publikimi i raport-progresit të KE-së

07.10.2014 14:57

KE, nesër pritet të publikojë raportin e progresit për Republikën e Maqedonisë...

Vendi pritet të thyej rekordin duke fituar rekomandimin e gjashtë për fillimin e bisedimeve, por edhe një sërë vërejtjesh dhe rekomandimesh për veprim në fusha të ndryshme.
 
Vërejtjet kryesore pritet të shtrihen në fushën e dialogut politik, marrëdhëniet ndëretnike dhe marrëdhëniet me fqinjët, funksionimin e shtetit ligjor dhe lirinë e shtypit. Ky do të jetë raporti i fundit për Maqedoninë i hartuar nga përbërja e vjetër e KE-së. 
 
“Nga ato që pritet në raport të kemi për periudhën që vijon, dua të theksoj që është jashtëzakonisht e rëndësishme në vend që të funksionojë dialogu politik”- deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi.
 
Duke iu referuar draft versionit të raportit të progresit, zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi, thotë se Maqedonia, krahasuar me vendet e rajonit, është në avantazh sa i takon adaptimit të së drejtës të BE-së, por komisioni ka vërejtje rreth zbatimit të ligjeve, sidomos në praktikën gjyqësore. 
 
“Ajo që shënohet si koment është që implementimi i ligjeve është jashtëzakonisht i rëndësishëm, me qëllim që të sigurojë një gjyqësi efikase, objektive dhe transparente, që të gëzojë një besueshmëri më të madhe të të gjithë qytetarëve, një gjyqësi të drejtë për të gjithë qytetarët”- tha Besimi.
 
Fryma e zgjerimit nuk pritet të mungojë as në këtë raport, por as rekomandimi për zgjidhjen e kontestit rreth emrit sa më shpejtë që të jetë e mundur. Agjenda e zgjerimit vazhdon edhe me këtë përbërje të KE-së edhe pse tema e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor nuk është kontestuar asnjëherë, thotë Besimi. 
 
Ndërkohë edhe përfaqësuesja e re e Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian, Federika Mogerini, në seancën dëgjimore të zhvilluar në Komitetin për Politikë të Jashtme pranë Parlamentit Evropian, tha se Brukseli duhet të vazhdojë me politikën e zgjerimit.
 
Sa i përket Maqedonisë, Mogerini theksoi se duhet kërkuar vullnet politik për të zgjidhur kontestin e emrit.
 
SHPËTIM NUREDINI