Këshilli Evropian, përfunduan përgatitjet për takimin e marsit
Përfunduan përgatitjet për takimin e marsit të Këshillit Evropian...

Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Marosh Sefçoviç, tha se në diskutimin e gjatë në Bruksel, ministrat e jashtëm të shteteve anëtare shprehën mbështetje për metodologjinë e re të zgjerimit dhe për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
"Konkluzioni i përgjithshëm ishte se anëtarësim i plotë i Ballkanit Perëndimor, bazuar në meritë, është edhe interesi ynë gjeostrategjik. Andaj do ta intensifikojmë prezencën tonë në Ballkanin Perëndimor që ta tejkalojmë dallimin ekonomik mes nesh.”- tha Marosh Sefçoviç, Zëvendëspresident i Komisionit Evropian.
Sekretarja Shtetërore kroate, Andreja Zgombiç tha se paralelisht me metodologjinë e zgjerimit, Komisioni Evropian po punon në progres raportet për dy shtetet, që do të publikohen në fillim të marsit.
"Raportet pritet të jenë bazë për vendimin eventual të Këshillit Evropian për fillimin e negociatave me Shkupin e Tiranën. Presidenca kroate synon t’i mbajë dy proceset paralelisht, duke shikuar të krijojë kushte që të merremi vesh për vendim pozitiv kur bëhet fjalë për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Në të ardhmen do të jemi shumë aktiv në këtë.”-pohoi Andreja Metelko Zgombiç, Sekretare Shtetërore për Çështje Evropiane e Kroacisë.
Takimi i kryediplomatëve në Bruksel vjen vetëm një ditë pas takimit me homologët nga Ballkani Perëndimor, për tejkalimin e dallimeve rreth hapjes së negociatave për anëtarësim.
