Maqedoni
Dhuna në Kuvend, Ruskovska: Tentuan rrënimin e rendit kushtetues. Mbrojtja e të akuzuarve: Nuk ka dëshmi për vërtetimin e fajësisë. Ruskoska: Nëse ka dëshmi, vendos gjykata
26.02.2020 13:33
Me leximin e aktakuzës nga prokurorja për krim të organizuar dhe korrupsion, Villma Ruskoska...

Me leximin e aktakuzës nga prokurorja për krim të organizuar dhe korrupsion, Villma Ruskoska, ka filluar gjykimi për organizatorët e dhunës së 27 prillit në Kuvend.
Rusoska tha se do të dëshmojë që të akuzuarit kanë tentuar të rrënojnë rendin kushtetues për të pamundësuar dorëzimin e pushtetit në mënyrë paqësore.
“Prokuroria do të dëshmojë se të akuzuarit kanë krijuar plan me qëllim rrezikimin e rendit kushtetues dhe sigurisë së shtetit. Me akte të dhunës të pengojnë dorëzimin e pushtetit në mënyrë paqësore si rezultat i së cilës ndodhi ngjarja më 27 prill 2017, i njohur si e enjtja e përgjakur.”,- tha prokurorja publike, Villma Ruskoska.
Të akuzuarit nuk ndjehen fajtorë, madje akuzuan se po përndiqen politikisht dhe thanë se dëshmitë do të provojnë pafajësinë e tyre. Për mbrojtjen nuk ekzistojnë dëshmi për vërtetimin e fajësisë.
“Nuk ekziston dëshmi për asnjë porosi apo organizim nga Spiro dhe Mile për asnjë. Nuk ekziston transport i organizuar atë ditë e as dëshmi për të. Nuk ka as veprim të Veljanovskit dhe veprimi në bazë të Rregullores së Kuvendit nuk mund të jetë vepër penale, aq më pak vepër penale terrorizëm.”,- tha avokati mbrojtës, Elenko Millanov.
Por, prokurorja Ruskoska thotë se duhet pritur rrjedha e gjykimit për të parë se kush ka të drejtë.
“Nëse ka dëshmi ose jo, do të vendosë gjykata. Nuk është as e prokurorisë e as e mbrojtjes. Ajo që Veljanovski dhe Ristovski deklaruan se janë viktimë e ndjekjes politike është mendim i tyre dhe besoj se atë mendim do ta mbështesin me diçka.”,- u shpreh prokurorja publike, Villma Ruskoska.
Gjykimi do të vazhdojë më 9 mars me fjalët hyrëse të mbrojtjes dhe të akuzuarve dhe me dëshmitarin, kryeministrin teknik, Oliver Spasovskin.
FLORIJE BELULI KAMBERI
