Maqedoni
Përfaqësimi gjinor në Kuvend, partitë kalkulojnë, premtojnë tejkalim të kuotës
26.02.2020 14:34
Përfaqësimi gjinor në kuvend ende mbetet në kuotën e 40%....

As me ndryshimet e Kodit Zgjedhor, që u bënë në ditën e fundit të punës së parlamentit, nuk u arrit të rritej kuota gjinore në 50%. Përfshirja e grave në listat zgjedhore edhe në këto zgjedhje mbetet në vullnetin e mirë të partive. Përbërja e fundit parlamentare kishte 48 deputete femra. Teksa ende përpilohen listat e kandidatëve nga partitë, femrat pretendojnë për më shumë përfaqësim dhe tejkalimin e kuotës ligjore.
“Ndryshimet statutare janë se përfaqësimi në të gjitha listat do të shkojë në minimum 40 për qind. Unë uroj që të jetë edhe më shumë se 40%, por mendoj se do ta tejkalojë veten.”,- tha anëtarja e Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së, Arta Bilali Zendeli.
Edhe nga LSDM thonë se në këto zgjedhje për herë të parë do të garojnë me numër të njëjtë kandidatësh për deputetë, duke e arritur kuotën e dëshiruar për përfaqësim të barabartë gjinor. VMRO-DPMNE aktualisht po bën analiza jo vetëm për përfaqësimin e femrës në Kuvend, por për të gjithë kandidatët me të cilët do të garojnë. Edhe opozita shpreson të tejkalohet obligimi ligjor prej 40%.
Deri në këto momente megjithatë partitë bëjnë kalkulime se kush do t’u sjellë më shumë vota. Sa do të jetë përfaqësimi i femrave në përbërjen e re parlamentare, pritet të shihet pas shpalljes zyrtare të listave, e sigurisht pas rezultatit përfundimtar më 12 prill.
SANIJE DURAKU
