Maqedoni

Hulumtimi - “Societas Civilis”: Ulet përkrahja e qytetarëve për integrim në BE

26.02.2020 15:03

Bie përkrahja e integrimit të vendit për në BE. Hulumtimi i Organizatës “Societas Civilis”....

Bie përkrahja e integrimit të vendit për në BE. Hulumtimi i Organizatës “Societas Civilis” tregon se viteve të kaluara, 80% e qytetarëve kanë qenë pro integrimit, ndërsa tani mbështetja ka rënë në 65%. Marko Troshanovski nga “Societas Civilis” thotë se kjo situatë ka ardhur si pasojë e dëshpërimit nga prolongimi i fillimit të bisedimeve me BE-në. 
 
“Për herë të parë kemi 65% të qytetarëve që do të votonin referendumin për hyrje në BE. Po ashtu rëndësia e BE-së në jetën e qytetarëve është zvogëluar. Ky është rezultat i prolongimit të fillimit të bisedimeve dhe në njëfarë mënyre është lajmi i  keq  i anketës. BE ka humbur kredibilitetin në Ballkan, sidomos në Maqedoninë e Veriut. E mira është që qytetarët janë më vetëkritikë dhe kuptojnë se gjërat varen nga ne, sepse vetëm kështu mund t'i bëjmë shtypje elitës politike që të realizojë politika që janë për të mirën e opinionit.”,- tha Marko Troshanovski nga “Societas Civilis”.
 
Kollcakova: Hulumtimi, mesazh për angazhimin e politikanëve
 
Nga Fondacioni “Konrad Adenauer” thonë se ky hulumtim duhet t’ju shërbejë politikanëve si pasqyrë se çfarë mesazhi kanë përcjellë tek qytetarët angazhimi i tyre për eurointegrim të vendit. 
 
“Më 12 prill qytetarët do të japin votën për opinionin politik në vend, por edhe votën për atë se çfarë bën opsioni politik në fushën eurointegruese. Sa janë integrimet të rëndësishme për qytetarët dhe a do t’i vënë partitë politike integrimet në top agjendën e tyre, këtë duhet ta dimë që të vendosim kë të votojmë.”,- u shpreh Sandra Kollcakova nga Fondacioni “Konrad Adenauer”.
 
Në qoftë se RMV nuk merr vendim pozitiv për fillimin e bisedimeve në Samitin e radhës të BE-së, përkrahja e qytetarëve për integrim do të bie edhe më tej dhe po ashtu do të humbet orientimi për realizimin e reformave demokratike, thanë hulumtuesit dhe analistët e çështjeve eurointegruese.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU