Maqedoni
“Bombat” e Milloshovskit, Ruskovska: Janë në ekspertizë, presim rezultatet
26.02.2020 15:19
Të dyja audio xhirimet që Antonio Milloshovski i ka dorëzuar në prokurori...

Të dyja audio xhirimet që Antonio Milloshovski i ka dorëzuar në prokurori, janë dhënë në ekspertizë për të verifikuar vërtetësinë e tyre e nëse ka bazë për hapje të hetimeve. Edhe pse një ditë më parë, u akuzua nga kreu i opozitës maqedonase, Hristian Mickovski, se nuk po ndërmerr asgjë, shefja e Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Vilma Ruskoska, thotë se procedurat rrjedhin por do të ishte mirë të kishte edhe dëshmitarë që do vërtetonin atë që dëgjohet.
“Xhirimin e parë që e solli Milloshovski dhe xhirimin që e solli një ditë më parë, janë dhënë në ekspertizë, kështu që po presim rezultatet nga atje. Po ashtu Milloshovskin e luta që nëse mundet të sigurojë disa dëshmitarë të cilët do të vërtetonin atë që është në xhirime, në të dyja xhirimet. Miloshovski nga unë ka kërkuar të siguroj xhirime nga kabineti qeveritar për muajin maj të vitit të kaluar dhe unë them se kjo është joserioze, sepse shumë njerëz kanë kaluar në kabinetin e kryeministrit për një muaj. Nëse do të potenconte datë konkrete, sigurisht se do kërkonim xhirim.”,- deklaroi prokurorja publike, Villma Ruskovska.
Akuzat e Mickovskit, Ruskovska: Nëse ka dyshime, t’i paraqesë në KPP
E akuzuar se po punon për liderin e LSDM-së, Zoran Zaev, Ruskoska porositi kreun e VMRO-së të mos përmendë emra personalë për interesa politike, por nëse ka vërejtje të ankohet ku duhet.
“Mendoj se është shumë e pahijshme emra personalë të shfrytëzohen në fushatë parazgjedhore. Nëse cilido ka vërejtje për veprimin tim, atë duhet ta paraqesë. Nëse nuk ka besim në prokurorin publik të RMV-së, atëherë vërejtjen duhet ta paraqesë deri te Këshilli i Prokurorëve Publikë.”,- tha prokurorja publike, Villma Ruskovska.
Mickovski akuzoi prokurorinë se ka frikë të hetojë keqpërdorimet nga ish kryeministri, Zoran Zaev. Si garanci për paanshmërinë e gjyqësorit propozoi hetime nga prokurorë që nuk janë zgjedhur nga shumica qeveritare dhe Ruskoskën për të cilën tha se dihet kujt i shërben.
FLUTURA LATIFI
