Maqedoni
“Eurostat”: Maqedonia ka 2 milionë e 26 mijë banorë
07.10.2014 15:01
Derisa Maqedonia ngurron të bëjë regjistrimin e popullsisë, Zyra Evropiane e Statistikave “Eurostat” ka publikuar të dhënat e reja për numrin e banorëve...

Derisa Maqedonia ngurron të bëjë regjistrimin e popullsisë, Zyra Evropiane e Statistikave “Eurostat” ka publikuar të dhënat e reja për numrin e banorëve që jetojnë në vendet anëtare të BE-së, por dhe në vendet kandidate për anëtarësim. Sipas “Eurostat”, në Maqedoni jetojnë 2 milionë e 65 mijë banorë.
Këto të dhëna flasin se, krahasuar me një vit më parë, numri i banorëve në Maqedoni është rritur për 30 mijë.
Por, në lidhje me numrin e foshnjave të lindura, të dhënat e “Eurostat” thonë se, përgjatë vitit 2013, numri i tyre është 11.2 foshnja në 1 mijë banorë, ndërsa numri i të vdekurve është 9.3 persona në 1 mijë banorë.
Sipas përllogaritjes së “Eurostat”, shtimi natyror i popullsisë në Maqedoni është 1.9 për qind. Ndërsa “Eurostat” nuk ka evidentuar të dhëna për përkatësinë etnike të qytetarëve të Maqedonisë.
Po ashtu, në nivel të Evropës, deri në 1 janar të vitit 2014, numri i banorëve në të gjitha 28 shtetet anëtare është 507. 4 milionë, që krahasuar me një vit më parë, përbën rritje për 80 mijë banorë.
Gjithashtu, është rritur ndjeshëm edhe numri i banorëve që janë vendosur për të jetuar në vendet evropiane, shifër kjo që arrin në 700 mijë banorë.
GYLTENE SINANI
