Maqedoni

Dimitrov në Pragë: Presim fundin e procesit dhe fillimin e bisedimeve

26.02.2020 16:33

Ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov, vazhdon lobimin për të fituar mbështetjen e sa më shumë vendeve...

Ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov, vazhdon lobimin për të fituar mbështetjen e sa më shumë vendeve për rrugëtimin europian të vendit. Mbështetje mori në Pragë, ku po qëndron në një vizitë zyrtare nga  homologu i tij çek, Tomash Petriçek. Ai përkujtoi se një vendim pozitiv nga BE do të ndikonte edhe në ruajtjen e mbështetjes që qytetarët kanë dhënë për anëtarësimin e vendit në BE.
 
“Është shumë me rëndësi, që me sukses të përfundojë debati në kuadër të Bashkimit Europian dhe më në fund t’i fillojmë bisedimet për anëtarësim në BE. Më pas të kompletohet narativi që ka për qëllim bashkimin dhe unifikimin e vendit, me të vetmin qëllim, që ky proces i filluar të marrë fundin e tij me fillimin e bisedimeve. Republika e Çekisë është pjesë e rrugëtimit tonë në BE, duke na ndihmuar të arrijmë sa më shpejt qëllimin tonë.”,- deklaroi ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov.
 
Petriçek: Presim që procesi të mbyllet në mars
 
Petriçek ripohoi qëndrimin se Maqedonia e Veriut meritonte të fillonte procesin e negociatave sepse plotësoi të gjitha kushtet e vëna nga Unioni.
 
“Republika e Maqedonisë së Veriut i ka plotësuar kushtet thelbësore të cilat i ka kërkuar Bashkimi Europian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Normalisht nuk duhet të ketë ndonjë shtyrje plotësuese për hapjen e negociatave dhe definitivisht presim që në muajin mars kjo çështje të mbyllet.”,- u shpreh ministri i punëve të jashtëm në Republikën çeke, Tomash Petriçek.
 
Dimitrov do të marrë pjesë nesër edhe në takimin vjetor të ministrave të punëve të jashtme të vendeve të Grupit të Vishegradit dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. 
 
FITIM KRYEZIU