Maqedoni

“Marshi për drejtësi”, akuza mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së

26.02.2020 17:36

VMRO-DPMNE dhe LSDM, me vlerësime të kundërta për marshin protestues të VMRO-DPMNE-së....

Sipas organizatorit, marshimi i së martës ka dëshmuar se populli nuk i beson kësaj qeverie dhe as gjyqësisë, prandaj do ta dënojë në zgjedhjet e 12 prillit. Në shënjestër ishte kreu i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
“Populli, dje, doli në masë dhe tregoi se Zoran Zaevi dhe politikat e tij janë para humbjes së pashmangshme më 12 prill. Vrasësi i drejtësisë, Zoran Zaev, përfundimisht është gjunjëzuar. Populli dëshmoi se nuk i beson dhe nuk i frikësohet. Të gjithë e panë se ai është koka e oktapodit, që dakordon vendime gjyqësore dhe koordinon akuza si dhe aktivitete të prokurorisë.”,- deklaroi Orce Gjorgjievski nga VMRO-DPMNE.
 
Mirëpo, LSDM konsideron se dhimbja e VMRO-DPMNE-së është Ligji i ri për Prokurori Publike, pasi, siç thonë, nuk u pranua kërkesa e VMRO-DPMNE-së për të zhbërë lëndët që hapi e Prokuroria Speciale.  
 
“Ekzekutuesi i Nikolla Gruevskit, Hristijan Mickovski, mbrëmë edhe një herë pranoi se dhimbja e tij më e madhe është Ligji për Prokurori Publike. Pikërisht kjo është ajo kundër së cilës Mickovski dhe VMRO-DPMNE po luftojnë. Mickoski mbrëmë marshonte për padrejtësi, kundër përgjegjësisë dhe kundër gjyqësisë së pavarur; dhe, njësoj si në kohën e regjimit, kërcënonte gjykatës, prokurorë, gazetarë dhe media.”,- theksoi Snezhana Kaleska Vançeva nga LSDM.
 
Gjatë marshit protestues për drejtësi, VMRO paralajmëroi se kur të marrë pushtetin do të hetojë ish kryeministrin, Zoran Zaev, për keqpërdorim detyre; do të rishikojë punën dhe vendimet e gjykatësve supremë dhe do të reformojë Këshillin për Reforma në Gjyqësi. 
 
SHPËTIM NUREDINI