Maqedoni

Platformat e partive shqiptare, Selimi: Të jenë alternativë e politikave aktuale

26.02.2020 17:55

Platformat e partive politike shqiptare për zgjedhjet e 12 prillit duhet të jenë cilësore...

Platformat e partive politike shqiptare për zgjedhjet e 12 prillit duhet të jenë cilësore, e jo kundërthënëse, vlerësojnë panelistët në emisionin “Argument” në TVM2. Megjithatë, ata kanë mendime të ndara sa i përket përqendrimit të programeve vetëm në mirëqenien e qytetarëve duke hequr elementin etnik. Analisti, Sefer Selimi, thotë se ofertat duhet të jenë alternativë e politikave të deritanishme.
 
“Oferta është shumë e vakët, të paktën nga kjo që kemi parë deri tani, edhe koalicionet ndërtohen kundër në këtë moment, jo për të dhënë një opsion, por kundër një opsioni, që është shumë e dëmshme për cilësinë e ofertës politike nga partitë politike shqiptare. ndërkohë që BDI duhet të shpik diçka të jashtëzakonshme. Unë nuk e di se si do ta shpikin për të dalë përpara elektoratit të vet dhe të kërkojnë votën edhe njëherë.”,- deklaroi analisti, Sefer Selimi.
 
Selmani: Në zgjedhje me rëndësi edhe kandidatët
 
Gazetari, Naser Selmani, thotë se BDI mund të ngadhënjejë vetëm me një reformim, duke shtyrë kështu edhe opozitën në ofrimin e programit por edhe kandidatëve cilësorë.
 
“Përveç se u bashkuan, ata duhet t’i kushtojnë shumë rëndësi programit dhe sigurisht njerëzve që do t’i ofrojnë nëpër lista zgjedhore, sepse mos të mendojnë se ja ne jemi opozita dhe cilindo ne që do ta kandidojmë do të mbledh vota, kjo nuk vlen. D.m.th. bashkimi, platformë dhe njerëzit, sepse në këtë mënyrë do të dërgojnë një mesazh se janë serioz dhe vërtetë mund të jenë zëvendësues dinjitoz të BDI-së.”,- theksoi gazetari, Naser Selmani.
 
Luma: Koalicionimi Besa-LSDM, hap i gabuar
 
Analisti, Ilir Luma, komenton mbetjen e Lëvizjes Besa jashtë bllokut opozitar shqiptar dhe bashkëngjitjen me LSDM-në. Ai e cilëson si gabim dhe përpjekje për të fituar ndonjë kandidaturë parlamentare.
 
“Them se ka gabuar se edhe debatet e përparshme kur bisedohej për të hyrë në qeveri unë kam qenë ithtar i hyrjes në qeveri, meqë ishin raportet e tilla karshi VMRO-së. Tani Besa bën përpjekjet të shpëtojë diçka çka ka mundësi të shpëtojë, të paktën një përpjekje për mbijetesë të ndonjë individi në suaza të Besës.”,- tha analisti, Ilir Luma.
 
Sipas panelistëve, platformat e partive maqedonase veç më janë të diferencuara, LSDM me qasje pro-europiane dhe politika sociale, ndërkaq VMRO-DPMNE me retorikë të kombinuar kundër Marrëveshjes së Prespës dhe zhvillimit ekonomik.
 
MERAL ISMAILI