Maqedoni

Zgjedhjet parlamentare, nis shqyrtimi publik i listës së zgjedhësve

26.02.2020 18:05

Nisi shqyrtimi publik i listës së zgjedhësve, i cili do të zgjasë deri më 11 mars në mesnatë.....

Gjatë kësaj periudhe, qytetarët do të mund të kontrollojnë nëse gjenden në këtë listë, nëse të dhënat e tyre janë azhurnuar, madje edhe të paraqesin parregullsi eventuale. Gjatë kësaj periudhe do të mund të paraqiten për t’u regjistruar dhe të fitojnë të drejtë vote edhe shtetasit me qëndrim të përkohshëm jashtë vendit. Lista zgjedhore për momentin numëron 1 milion e 817 mijë e 28 votues.
 
“Këta persona mund të kontrollohen në listën zgjedhore se a gjenden në atë listë dhe ta shfrytëzojnë momentin e kontrollimit publik të listës zgjedhore dhe të parashtrojnë kërkesat e caktuara sa i përket gjendjes së tyre në listë.”,- u shpreh Admir Shabani nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. 
 
Fillon edhe afati për grumbullimin e nënshkrimeve për lista kandidatësh të pavarur që në këto zgjedhje ka një risi.
 
“Sipas ndryshimeve të kodit zgjedhor, kësaj radhe përpos përpara  personave zyrtarë nëpër zyrat e KShZ-së apo zyrat rajonale, këtë të drejtë e kanë edhe përpara noterëve të caktuar. Lista e noterëve do të shpallet në ueb faqen e KShZ-së dhe kuptohet që mbledhja e nënshkrimeve do të bëhet në formularë të posaçëm të KShZ-së për këtë çështje.”,- theksoi Shabani.
 
Subjektet politike dhe garuesit në zgjedhje do të mund të dorëzojnë në KShZ listat e kandidatëve për deputetë më së voni deri më 12 mars. Shorti për radhitjen në fletëvotim do të mbahet më 21 mars. Vazhdojnë ndërkohë apelet edhe për tërheqjen e dokumenteve personale. Janë rreth 38 mijë qytetarë që kanë bërë kërkesë për letërnjoftime, ato janë gati, por që nuk shkojnë t’i marrin, ju përkujtojmë se pa letërnjoftim valid nuk mund të votoni më 12 prill.
 
GAZMEND KURTISHI