Maqedoni

U konfirmua rasti i parë me Korona në RMV, 50 vjeçarja kishte ardhur nga Italia këto ditë

26.02.2020 18:25

Një 50 vjeçare nga Shkupi është rasti i parë i prekur nga virusi Korona...

E infektuara vetë është paraqitur në Klinikën Infektive në Shkup, pasi që ka ardhur nga Italia në orët e hershme të mëngjesit. Tek pacientja simptomat e para janë paraqitur edhe gjatë qëndrimit të saj në Itali, por atje nuk e kanë kontrolluar për Covid, pasi atje ende nuk ishte paraqitur virusi. Testi për koronavirus është bërë pasi erdhi në spital me simptoma gripi. Pacientja është shtruar në Repartin e Infektologjisë dhe ndodhet në gjendje stabile, ajo do të mbahet në karantinë për 14 ditë, ndërkohë që po kërkohen dhe personat që kanë bashkudhëtuar dhe  kontaktuar me pacienten për të konstatuar dhe gjendjen e tyre shëndetësore. 
 
“Rezultatet e pacientes janë pozitive me virusin Covid 19, që do të thotë se është pacienti i parë me këtë virus në vend. Dua të përsëris se nuk ka hapësirë për panik, pacientja është vendosur në Klinikën Infektive në Shkup në pjesën e izoluar. Analizat dhe pyetjet që i janë bërë tregon se ajo ka qenë 1 muaj në Itali në vizitë te familjarët, dy javë është e sëmurë, nuk është testuar në Itali për virusin Korona, pas ardhjes në vendin tonë ajo vetë është paraqitur në klinikë dhe këtu i ka bërë analizat e para. Jemi duke vepruar në bazë të të gjithë protokolleve dhe algoritmeve, që do të thotë se janë duke u bërë analiza të të gjithë udhëtarëve që kanë udhëtuar me personin në fjalë dhe do të vendosen në izolim 14 ditor.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Autoritetet: Jemi në gatishmëri, nuk ka nevojë për panik
 
Autoritetet apelojnë të mos përhapet panik, pasi gjendja është në kontroll dhe sistemi shëndetësor është në gatishmëri të plotë.
 
“Ekipi ynë, me gjithë kapacitetin tonë, kemi bërë anketë epidemiologjike për të infektuarin. Sipas algoritmeve tona që i kemi bërë 3 muaj më parë, përgatitemi më shumë në këtë periudhë përveç algoritmeve që janë të vendosura në aeroport që ende po veprohet. Të gjithë udhëtarët që vijnë nga Italia trajtohen si persona që vijnë nga një vend që është i pranishëm virusi Covid 19.  Shërbimet epidemiologjike që janë të pranishme në aeroportin e Shkupit së bashku me ekipin mjekësor të aeroportit TAV, të bëjnë skenim me termo kamerë dhe personat me simptoma t’i largojnë dhe t’i vendosin në pjesën e izolimit. Një person pozitiv në vendin tonë, që është i vendosur në hapësirat përkatëse, nuk është asgjë tragjike dhe nuk ka nevojë për panik dhe jam në gjendje të ndihmoj 24 orë.”,- tha drejtori i Drejtorisë për Shëndetit Publik, Zharko Karaxhovski.
 
Kryeministri Spasovski apelon veçanërisht për mosshpërndarjen e panikut përmes lajmeve në rrjetet sociale.
 
“Është shumë e rëndësishme që vetëdija e çdo qytetari të jetë në nivel të lartë, t’i respektojnë të gjitha masat, por të jenë të vetëdijshëm dhe të sillen të përgjegjshëm, edhe në rrjetet sociale të mos shpërndajnë lajme që mund të iniciojnë probleme në këtë periudhë. Ne kemi marrë vendime që të tregojmë përgjegjësi si qeveri që të anulojnë ekskursionet në tërë territorin e Italisë. Sa i përket aktiviteteve rekreativo–sportive në vend, nuk është e domosdoshme të ndalojmë, pasi që Qendra për Menaxhim me Kriza është në funksion dhe funksionon 24 orë dhe kjo gjë do të ndodhë çdo ditë.”,- theksoi kryeministri teknik, Oliver Spasovski.
 
Ende nuk dihet nëse do të ndalen tubimet publike tashmë që jemi në prag të fushatës. Kryeministri thotë se është ende herët për një vendim. Autoritetet apelojnë që qytetarët të ndjekin udhëzimet e mjekëve, nëse vërejnë simptoma të lajmërohen menjëherë në qendrat e shëndetit publik. 
 
Virusi tanimë ka arritur edhe në Greqi te një 38 vjeçare që kishte udhëtuar po ashtu në Itali. Edhe shumë shtete të tjera të Evropës kanë raportuar për raste me Covid 19, të cilët kryesisht kanë udhëtuar në Itali. Por, pavarësisht pse po shtohet numri i personave të prekur në qendër dhe jug të Italisë, ata nuk planifikojnë mbylljen e kufijve.
 
GAZMEND REXHEPI