Maqedoni

Sezoni dimëror drejt fundit, Kodra e Diellit bëhet me teleferik prej 6 ulëseve

26.02.2020 18:45

Edhe pse sezoni turistik dimëror pothuajse ka përfunduar, një ekip i lartë qeveritar...

Edhe pse sezoni turistik dimëror pothuajse ka përfunduar, një ekip i lartë qeveritar përuroi më në fund teleferikun me 6 ulëse në Kodrën e Diellit, që sigurisht do t’u hyjë në punë skiatorëve dhe turistëve vitin që vjen. Megjithëse projekti ka 6 vite që ka nisur, për autoritetet punimet janë kryer në kohë rekord. 
 
“Shfrytëzoj rastin të falënderoj për punën e palodhshme dhe ekspeditive të ELEM - Tursit që në një kohë pothuajse rekorde i kreu gjitha procedurat që ne sot të kemi mundësi, që ne sot të jemi në fillimin me punë të gjashtë ulëseve pikërisht këtu në Kodrën e Diellit.”,- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Drejtori i ESM-së nuk ishte aq krenar për ecurinë e punimeve, madje pranoi se ka pasur edhe zgjatje afatesh dhe lëshime, por paralajmëroi se dikush do të përgjigjet për vonesat.
 
“Tani pas vënies në funksion të këtij teleferiku do të bëjmë revizion të projektit për të cilin në kompani kemi caktuar edhe grup pune dhe do paraqesë raport kur dhe si janë bërë lëshimet gjithsesi se patjetër dikush duhet të mbajë përgjegjësi.”,- tha drejtori i ESM-së, Vasko Kovaçevski.
 
Tashmë qendra më e frekuentuar turistike ka teleferikë, por ende nuk dihet kur do të rregullohet problem me parkimin, infrastrukturën, kanalizimet, madje edhe ndriçimin në lagjet brenda saj. Më shumë herë nisma “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” është ankuar për keqmenaxhim të Qendrës turistike nga ELEM - Turs dhe këmbëngul që të njëjtës t’i merret e drejta e menaxhimit me Kodrën e Diellit.
 
VISAR SADIKI