Maqedoni

LSDM dhe Lëvizja Besa zyrtarizuan koalicionin parazgjedhor

27.02.2020 15:29

LSDM dhe Lëvizja BESA zyrtarizuan marrëveshjen për koalicion parazgjedhor për në zgjedhjet e 12 prillit....

Krerët e dy partive politike theksuan se ky koalicion bazohet te koncepti “Për një shoqëri për të gjithë”, i cili në praktikë ka dhënë rezultate të shkëlqyera dhe ka ndryshuar plotësisht marrëdhëniet mes bashkësive. Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, pret që koalicioni të mbështetet nga votuesit shqiptarë. 
 
“Për herë të parë në historinë tonë shqiptarët ndërtojnë një partneritet të vërtetë me partinë drejtuese, edhe atë si partner të plotë e të barabartë për të vendosur për ardhmërinë e vendit tonë. Presim që votuesi shqiptar ta shfrytëzojë këtë mundësi historike për të qenë një anëtar aktiv i koalicionit qeverisës. Ky tren është vazhdimësi i trenit të NATO-s që do të na anëtarësojë edhe në BE dhe jam i bindur që pas 12 prillit, këtij treni do t’i bashkëngjiten edhe partitë tjera politike shqiptare. Ky nuk është shkëmbim votash për përkrahje, por janë parti që bashkohen mbi vizionin e përbashkët.”,- deklaroi kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.
 
Për liderin e LSDM-së, Zoran Zaev, me këtë partneritet shqiptarët dhe maqedonasit mund të punojnë së bashku dhe ky koncept po i fundoset tentimet për ndarje të shoqërisë.
 
“Koha e ndarjeve po shkon në histori. Sot koncepti i monoetnitetit kur partitë u drejtohen vetëm votuesit të tyre është humbës. Në vitin 2016, LSDM ishte ajo e cila thithi qindra mijëra votues shqiptarë, por kjo sot është rast unik dhe ditë e veçantë historike për demokracinë dhe pluralizmin. Ky është koalicioni më i madh dhe më i ndryshmi në historinë e RMV-së, prandaj ky koalicion është koalicioni i fitores më 12 prill. Një porosi deri tek subjektet tjera politike shqiptare, pas zgjedhjeve nuk do të pranojmë kushtëzime, duhet t’i pranojnë rregullat tona të veprimit apo bisedime jokonceptuale, atë të cilët duan t’i bashkëngjiten këtij koalicioni.”,- tha lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Në deklaratën e përbashkët të nënshkruar nga liderët e dy partive, ata zotohen për forcimin e vlerave mes bashkësive duke e llogaritur si një pasuri e cila mund ta lehtësojë integrimin e vendit në BE, zhvillim të barabartë në të gjitha sferat dhe në mënyrë të barabartë në tërë territorin e vendit, luftën e pakompromis të krimit dhe korrupsionit, reformat në gjyqësi, integrimin në BE etj. Kjo deklaratë në formë të marrëveshjes do të shërbejë si udhërrëfyes në bazë të së cilës do të ndërtohet programi zgjedhor dhe do të propozohet për miratim në nivelet më të larta të të dyja partive politike, që më pas bëhet detyrues për të dyja palët.  
 
FITIM KRYEZIU