Maqedoni

Farmacitë nuk kanë maska dhe alkool, qytetarët kërkojnë të furnizohen

27.02.2020 16:14

Pasi u njoftua se në vend u regjistrua një e prekur me virusin Korona, shumë qytetarë iu drejtuan farmacive...

Pasi u njoftua se në vend u regjistrua një e prekur me virusin Korona, shumë qytetarë iu drejtuan farmacive për të blerë maska dhe dezinfektues. Por, barnatoret të cilat i vizitoi TVM2 kanë mungesë të maskave, alkoolit dhe dezinfektuesit. Shitësit nëpër barnatore thonë se kërkesat e qytetarëve janë të shumta, por ende nuk kanë të dhëna se kur do të furnizohen me të njëjtat.   
 
“Ka kërkesa të shumta, por maska dhe alkool nuk kemi, nuk e dimë se kur do të na furnizojnë. Ndërsa dezinfektues ka. Çmimet janë të njëjta, por vetëm që kemi mungesë dhe as nuk kemi të dhëna se kur do të na furnizojnë me të njëjtat.”,- tha një farmaciste.
 
“Ministria e Shëndetësisë duhet të angazhohet patjetër rreth atyre çështjeve. Pasi që e kanë alarmuar situatën, duhet të ketë.”,- theksoi një qytetar.
 
 Autoritetet shëndetësore: Maskat t’i mbajnë të infektuarit dhe mjekët
 
Autoritetet shtetërore qetësojnë, maskat mbrojtëse duhet të mbajnë të infektuarit për të mos përhapur virusin, thonë ata, ndërsa mbrojtja më e mirë është larja e duarve.  
 
“Ne kemi një trup koordinativ në të cilin janë të përfshirë edhe institucione tjera, si Qendra për Menaxhim me Kriza, Inspektorati i Shkollave, Komisioni i Sëmundjeve Infektive dhe Policia Kufitare. Në koordinim dhe nga konkluzionet e atyre takimeve, ne në aspekt të mobilizimit, të maskave, të skafanderëve, të mantilëve dhe preparateve për dezinfektim dhe materialit tjetër, që janë të nevojshëm për punonjësit shëndetësorë, kemi në sasi të mjaftueshme dhe kemi edhe rezervë. Maskat nuk janë mbrojtës të këtij virusi ndaj qytetarit i cili nuk është i infektuar. Maskat përdoren në rast se qytetari është i infektuar që mos të bëjë shpërndarje të virusit. Nga ana tjetër maskat përdoren te personeli mjekësor për t’u mbrojtur.”,- tha zëvendësministri i shëndetësisë, Armend Arsllani.
 
Zëvendësministri Arsllani bën të ditur se një sasi e konsiderueshme e maskave dhe alkoolit është e planifikuar prej të hënës të shpërndahet në të gjithë vendin. Po ashtu në mbledhjen e fundit të Qeverisë është sjellë vendim që t’u ndalohet kompanive të cilat prodhojnë mjete mbrojtëse që t’i eksportojnë në vendet tjera deri sa të arrihet minimumi i rezervave për nevojat e qytetarëve të vendit. Nga qeveria thonë se për të mbrojtur interesin publik do të merren edhe masa sanksionuese. 
 
SANIJE DURAKU