Me sytë nga Elbasani për ëndrrën europiane
Të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit do të kthejnë sytë nga Elbasani të paktën për një javë...

Kjo, pasi shqiponjat kuqezi vijojnë fluturimin e tyre drejt Europianit “Francë 2016” pikërisht në “Elbasan Arena”, ku do të përballen me Danimarkën, kundërshtarin e radhës në grupin I.
Ndeshja që do të marrë jetë nën dritën e prozhektorëve ditën e shtunë në teatrin e ri të futbollit shqiptar, pritet të dhurojë mjaft emocione për sportdashësit kuqezi.
Fitorja në Portugali e ushtrisë së Xhani de Biazit, falë golit të Bekim Balës, i ka dhënë dritë një ëndrre prej së cilës shqiptarët nuk kanë dëshirë të heqin lehtësisht dorë edhe pse grupi paraqet rivalë të vështirë.
Në tatëpjetat që na ofron grupi, kundërshtari i radhës do të jetë Danimarka, e cila debutoi me fitore në shtëpinë e saj përballë Armenisë me rezultatin 2-1, duke ndarë kryesimin e grupit me kuqezinjtë. Atmosfera në vendin tonë po fillon të marrë ngjyra festive.
Të gjithë presin me padurim të shohin në skenë kuqezinjtë në arenën e re të futbollit shqiptar. Tekniku italian i kuqezinjve ka publikuar listën e lojtarëve të grumbulluar, ku bie në sy angazhimi apo rikthimi i mesfushorit Valdet Rama, i lënë jashtë nga timonieri italian gjatë takimit me Portugalinë.
Ndër risitë e listës prej 27 lojtarësh të përzgjedhur nga tekniku De Biazi është dhe grumbullimi i portierit të Partizanit, Alban Hoxha. Ky i fundit së bashku me dyshen Ertrit Berisha dhe Orges Shehi do të jenë treshja e gardianëve të portës në dispozicion të De Biazit.
Takimi mes Shqipërisë dhe dhe Danimarkës do të zhvillohet ditën e shtunë në orën 20:45 ku të gjithë shqiptarët në të gjitha trevat kuqezi dhe vendndodhjet e tyre do të fokusojnë vëmendjen mbi “Elbasan Arena”, ku gjenerali De Biazi dhe ushtria e tij kuqezi do të sulmojnë në folenë e shqiponjave ‘gjahun’ e radhës.
