Maqedoni

Era e fuqishme në Shkup, dëmtoi 70 drunj dhe disa çati

27.02.2020 17:08

Drunj të shkulur dhe çati të dëmtuara janë pasojat e erës së fuqishme që prej mbrëmë ka kapluar Shkupin...

Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike ka njoftuar se shpejtësia e erës ka qenë 100 km në orë. Autoritetet e kryeqendrës njoftuan edhe për një qytetar të lënduar në komunën e Karposhit.
 
Era ka dëmtuar çatinë e Shkollës së Mesme “Maria Kiri Sklodovska” në lagjen Aerodrom, prandaj në këtë shkollë sot nuk pati mësim. Po ashtu pjesërisht u dëmtua edhe çatia e Shkollës së Mesme “Korçagin”. 
 
“Kemi disa çati të dëmtuara të ndërtesave. Kishte dëme në pjesën e  urës së “Kombeve të Bashkuara” deri në City Mall, ku menjëherë intervenuam dhe deri orën 3 të mëngjesit ishte krejtësisht e pastruar dhe për fat të mirë është evidentuar vetëm një person i lënduar.”,- u shpreh kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
 
Era e fuqishme që mbrëmë e kaploi Shkupin ka shkaktuar dëme të mëdha. Një nga objektet që ka pësuar është edhe godina e MEPSO-s, e cila ka qenë pjesë e projektit “Shkupi 2014”. Nga Ndërmarrja Publike Parqe dhe gjelbërim thonë se dëmet ishin të mëdha, përfshirë 70 drunj të thyer.
 
“Përveç çative të ndërtesave të ndryshme kishte edhe shumë rënie të drunjve mbi 70. Ne ekipet e Ndërmarrjes Publike “Parqe dhe Gjelbërim” ishim në teren deri në orët e hershme të mëngjesit dhe vazhduam gjatë ditës së sotme. Është intervenuar në mbi 50 raste të rënieve të drunjve.”,- deklaroi drejtori i Ndërmarrjes Publike “Parqe dhe Gjelbërim”, Ardian Muca.
 
Nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike informojnë se ditëve të ardhshme moti pritet të jetë stabil dhe rritje të temperaturave ditore. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI