Maqedoni

Koalicionet parazgjedhore, BDI: Koalicioni LSDM-Besa dëmton MO-në

27.02.2020 17:33

Koalicioni mes LSDM-së dhe Lëvizjes Besa, e dëmton interesin shqiptar....

Kështu kanë vlerësuar nga BDI e cila ka paralajmëruar se do të dalë e vetme në zgjedhjet e 12 prillit. 
 
“Ky “sojuz” i njohur ndërmjet tyre ose kjo shkrirje e Besës në LSDM është në kundërshtim me interesat shqiptare për shkak se defaktorizon peshën e votës shqiptare por para së gjithash edhe rolin e Marrëveshjes së Ohrit dhe mekanizmin e Badenterit në mbrojtjen e interesave shqiptare.”,- deklaroi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
 
VMRO: Koalicion me parti shqiptare pas zgjedhjeve
 
Nga ana tjetër kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i uron fat, koalicionit parazgjedhor mes LSDM-së dhe Lëvizjes Besa. Ai thotë se ka pak mundësi që koalicionit parazgjedhor i udhëhequr nga VMRO-DPMNE t’i bashkohet ndonjë parti shqiptare. 
 
“Paçin fat! Pozicionet tona janë të qarta dhe pa përjashtim. Për momentin shanset janë të vogla që të ketë parti shqiptare për koalicion parazgjedhor. Kuptohet, pas zgjedhjeve nëse kemi pajtueshmëri në bazë politike dhe programore me cilindo subjekt politik jemi të gatshëm të bisedojmë dhe krijojmë koalicion.”,- u shpreh kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski.
 
Pak ditë më parë, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, zyrtarizuan koalicionin parazgjedhor. Krerët e këtyre dy partive, Sela dhe Gashi thanë se Lëvizja Besa ishte vetëpërjashtuar nga ideja për një koalicion trepartiak.  
 
SHPËTIM NUREDINI