Maqedoni
Rasti "Monstra", dëshmuan Mijallkov dhe Aleksovski
27.02.2020 17:52
Ish shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov, gjatë dëshmisë së tij për rastin “Monstra”...

Ish shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov, gjatë dëshmisë së tij për rastin “Monstra”, kishte përgjigje të prera dhe të shkurta, ndërsa në të shumtën e rasteve nuk mund të kujtohej, pasi, siç tha ai, bëhet fjalë për periudhë kohore prej më shumë se 8 vitesh. Ish drejtori i DSK-së bëri të ditur se nuk kishte informacione paraprake se do të ndodhte kjo ngjarje. I akuzuari Aziri kërkoi sqarim nga Mijallkov se pse hetimi është drejtuar vetëm tek shqiptarët.
"Unë si drejtor dhe sipas informatave mund të them se në momentin e ngjarjes më nuk kishim asnjë informatë dhe nuk është e vërtetë se hetimi ishte në një drejtim, por ishte në shumë drejtime.",- ishte përgjigja e ish drejtorit të DSK-së, të cilit nuk i kujtohet se prej ku i kanë informacionet dhe kualifikimet se të akuzuarit ishin pjesëtarë të “Al Kaedës” që kanë marrë pjesë në luftëra në Afganistan dhe nuk u përgjigj nëse ai i ka treguar si fajtorë 20 të arrestuarit më 1 maj të vitit 2012.
Pas Mijallkovit dëshmoi edhe Sinisha Aleksovski, këshilltar për siguri kombëtare në kabinetin e ish presidentit, Gjorge Ivanov. Aleksovski tha se ka qenë i informuar nga nëpunësi policor, Zoran Trajkovski, se në mal ka lëvizje të një grupi të armatosur, të cilët mund të sulmojnë ndonjë stacion policor.
“Para festës fetare të Pashkëve, ne çdoherë përgatitemi për ndonjë sulm eventual terrorist në objektet fetare ku ka më shumë njerëz, sepse aty shkon edhe presidenti. Një zyrtar policor më dha një interpretim se një grup po shëtit maleve dhe duan ta sulmojnë një stacion policor”,- theksoi Aleksovski, i cili mohoi se celulari i tij është gjetur në liqenin e Smillkovës, sepse ai ende e ka në shtëpi telefonin me të gjitha mesazhet dhe kontaktet. Sinisha Aleksovski është takuar edhe me ish kryeministrin, Zoran Zaev, lidhur me rastin “Monstra”, me të cilin kanë zhvilluar dy takime, në të cilat kanë biseduar për dyshimet e Zaevit lidhur me përfshirjen e Aleksovskit dhe zyrtarëve të policisë në këtë rast.
Për avokatin mbrojtës, Naser Raufin, kjo dëshmon se bëhet fjalë për motiv të paramenduar të Jankullovskës.
“U dëshmua me këto dëshmitarë deri tash se nuk është motivi që ka qenë fillimisht që është islami radikal si motiv për vrasjen. Kjo posaçërisht doli prej dëshmisë së Sinisha Aleksovskit që është edhe doktorant për këtë temë dhe ka qenë i punësuar në atë kohë tek Agjencia për Kundërzbulim te kryetari i shtetit. Dhe u bë definitivisht e qartë motivi që fillimisht ka qenë me akuzën e ish prokurorisë që është në pyetje islami radikal, kjo punë u kristalizua sot me këto dëshmi.”,- theksoi avokati, Naser Raufi.
Por, ndryshe nga Raufi, avokatja e palës së dëmtuar, Dafinka Ivanova, vlerëson se dëshmitarët nuk e ndryshojnë kahjen e rastit.
“Jo në asnjë mënyrë, pyetja ishte plotësisht e parashtruar në kontekst tjetër dhe mendoj se nuk duhet të keqpërdoret dhe se në ato rrethana nuk duhet dëgjohen ato që unë nuk i kam dëgjuar, atë që e ka thënë kolegu Naser. Çka ka dashur të thotë dhe si vet e di, por deri tek diçka e tillë nuk është arritur.”,- u shpreh avokatja e palës së dëmtuar, Dafinka Ivanova.
Në seancën e radhës për këtë rast më 10 mars do të dëshmojnë ish ministri i drejtësisë dhe kryetari aktual i komunës së Sarajit, Blerim Bexheti, dhe ish zëvendëskryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi.
FLORIJE BELULI KAMBERI
