Maqedoni
Virusi Korona mobilizoi shkollat, respektohen masat sanitaro-higjienike
27.02.2020 18:22
Virusi Korona ka mobilizuar shkollat për rritjen e nivelit të higjienës...

Drejtuesit e shkollave thonë se po respektohen me përpikëri të gjitha rekomandimet, edhe atë dezinfektimi i klasave, furnizimi me mjete higjienike, por edhe mbajtja e orëve edukative me nxënësit. Në Shkollat Fillore “Ismail Qemali”, “7 Marsi” dhe “Liria” të komunës së Çairit, nxënësit thonë se mjete higjienike nuk mungojnë.
“I lajmë duart kur marrim ushqimet, para se të hymë në klasë dhe pasi të hymë në klasë.”,- u shpreh një nxënëse.
“Në shkolla ka sapun secili dhe i merr masat e veta. Edhe ne nxënësit mundohemi ta mbajmë shkollën të pastër.”,- u shpreh një nxënës.
“Kemi sapunë në banjë, na tregojnë për të mirën tonë që duhet të mbajmë pastërti.”,- tha një nxënës.
Drejtorët e shkollave thonë se janë mobilizuar për rritjen e higjienës.
“Dje e kemi dezinfektuar tërë shkollën, po ashtu edhe klasat, po ashtu edhe sapun kemi dhe pastrimi është në nivel.”,- deklaroi drejtori i Sh. F. “7 Marsi”, Ajdin Ramadani.
“Nga ana e komunës sonë janë ndërmarrë të gjitha masat, kështu që sasia e sapunëve dhe mjeteve higjienike të cilat do t’i kemi tash më se të nevojshme të rritet numri i tyre dhe të kemi masë preventive.”,- theksoi drejtoresha e Sh. F. “Liria”, Teuta Idrizi.
Masat preventive janë marrë edhe nga Gjimnazi “Zef Lush Marku”. Edhe nxënësit e kësaj shkolle thonë se është rritur niveli i higjienës.
“Sidomos tani edhe arsimtarët në lëndët tjera na këshillojnë të kemi higjienën në maksimum.”,- u shpreh një nxënës.
“Secili profesor çdo orë na përmend që të kemi kujdes të mos prekemi nga korona virusi.”,- theksoi një nxënës.
“Çdo orë dhe çdo gjë që prekim po i lajmë duart dhe na mbajnë edhe ligjërata profesorët.”,- tha një nxënëse.
Drejtori i kësaj shkolle, Faruk Zeqiri, thotë se mungojnë 20 për qind e nxënësve, por jo për shkak të virusit Korona, por për shkak të gripit sezonal.
“Çdo mëngjes dhe mes ndërrimeve bëhet dezinfektimi i bankave dhe dyerve të klasave. Kemi mjaftueshëm sapun dhe dezinfektues për duar dhe me dezificientë për larjen e duarve. Deri tash nuk vërejmë panik nga nxënësit. Na mungojnë 20 për qind prej nxënësve, kjo është mungesë edhe prej viruseve të ndryshme.”,- deklaroi drejtori i Gjimnazit “Zef Lush Marku”, Faruk Zeqiri.
MASh: Komunat respektojnë masat preventive
Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, dhe kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, thonë se nuk ka nevojë për panik, sepse po ndërmerren të gjitha masat preventive që të ruhet shëndeti i nxënësve.
“Secila komunë e cila është themeluese e shkollave fillore dhe të mesme ka mjete të nevojshme që të rrisë nivelin e higjienës në institucionet arsimore dhe përskaj kësaj është rekomanduar të organizohen edhe orë edukative dhe është rekomanduar të mos vizitohen vendet e prekura, e veçanërisht Italia, si destinacion i preferuar për organizimin e ekskursioneve dhe të njëjtat të prolongohen për afat të pacaktuar.”,- tha ministri i arsimit, Arbër Ademi.
Qyteti i Shkupit: Shkollat anulojnë ekskursionet në Itali
“Sipas obligimeve të marra nga Qeveria, të gjitha shkollat do t’i anulojnë ose shtyjnë udhëtimet dhe ekskursionet e tyre të planifikuara në Republikën e Italisë për kohë të pacaktuar. Deri në fund të kësaj jave do të mbahet orë edukative për parandalimin e virusit, në përputhje me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetit dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.”,- theksoi kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
Shkollat janë obliguar edhe të tregojnë nëse stafi apo nxënësit kanë udhëtuar në Itali, Kinë dhe vendet tjera të prekura nga virusi Korona.
FLUTURA LATIFI
