Maqedoni

Konferencë kushtuar mbrojtjes së të dhënave personale

07.10.2014 15:46

Të dhënat personale dhe privatësia e individëve janë të mbrojtura me ligj, por ligji i ri, i cili është i bazuar në rregullativën evropiane, pritet të miratohet gjatë 2015-tës...

Risitë që do të ofrohen në kuadër të ligjit janë On-line inspektime dhe revizion i të dhënave personale, me qëllim të rritjes së vetëdijes për mbrojtjen e privatësisë të çdo personi fizik.
 
“Kohëve të fundit është rritur vetëdija publike për atë se çka paraqesin të dhënat personale, në cilat raste është shkelur e drejta e privatësisë, por edhe deri tek cili institucion qytetarët duhet të dorëzojnë parashtresat e tyre në rast të shkeljes së të dhënave personale. Këtë vit, deri në tetor kemi numër më të madh të parashtresave krahasuar me vitin e kaluar ku kemi pasur 409 parashtresa, ndërkohë që për këtë vit të dhënat do t’i kemi në raportin vjetor”- deklaroi drejtori i Drejtorisë për të Dhëna me Karakter Privat, Dimitar Georgievski.
 
“Në vetëdijen globale, me rëndësi të veçantë është të punojmë së bashku për mbrojtjen e të dhënave personale. Këto direktiva do t’u ndihmojnë autoriteteve në ndalimin e keqpërdorimit të të dhënave dhe në ruajtjen e privatësisë së personave fizik”- tha komisioneri për mbrojtjen e privatësisë belge, Romain Robert.
 
Në konferencën e sotme ishin të pranishëm përfaqësues nga 30 shtete, të cilët këmbyen përvojat e tyre për ruajtjen e së drejtës së privatësisë, e drejtë kjo e garantuar me ligj.
 
FLUTURA LATIFI