Maqedoni
Virusi Korona, testohet edhe një pacient i ardhur nga Italia
28.02.2020 10:59
Edhe një rast i dyshuar me virusin Korona është paraqitur në vend....

Edhe një rast i dyshuar me virusin Korona është paraqitur në vend. Personi ka udhëtuar nga Italia më 22 shkurt dhe po testohet. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në konferencën e sotme për shtyp, njoftoi edhe për dy punëtorë nga Bullgaria që po testohen në Manastir. 50 vjeçarja, tek e cila fillimisht u paraqitën simptomat e virusit Korona, është në gjendje stabile dhe mbahet nën kujdesje intensive. Ajo tashmë gjendet në fazën e përmirësimit, tha Filipçe.
“Po ecën si duhet edhe izolimi shtëpiak i personave që ishin në kontakt me të dhe me të tjerët të cilët këta persona kanë kontaktuar. Kemi këtë mëngjes një person që ka ardhur nga Italia me temperaturë mbi 37 gradë. Gjatë ditës priten rezultatet e analizave të tij. Edhe dy shtetas bullgarë kanë dhënë informacione se kanë udhëtuar në Itali. Nuk kemi informata nëse kanë kontaktuar me persona të tjerë, por i kemi udhëzuar të qëndrojnë të izoluar në shtëpi.”,- tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Do të ndalohen tubimet publike për një javë
Ministria e Shëndetësisë i rekomandoi Qeverisë që të kufizohen tubimet e mëdha publike sipas Ligjit për Sëmundje Infektive. Vendimi do të merret në mbledhjen e sotme të ekzekutivit. Kjo ndalesë duhet të vlejë për një javë, e më pa Ministria do të sjellë vendim plotësues për një periudhë më të gjatë nëse ka nevojë. Ndalesa vlen për të gjitha tubimet publike në hapësira të hapura apo të mbyllura. Kjo do të thotë se anulohet mbajtja e karnavaleve në Strumicë dhe Prilep.
“Çdo gjë që kemi ndërmarrë deri tani është bërë për të reaguar në kohë për të parandaluar përhapjen e virusit, si dhe për të izoluar dhe trajtuar bartësit e tij. Nuk e dimë saktësisht se çfarë mund të presim, por po përgatisim sistemin që të mund të reagojmë tek një, dy, pesë apo dhjetë të sëmurë. Bëhet fjalë megjithatë për një virus për të cilin akoma nuk dihet gjithçka as në përmasa botërore.”,- theksoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Në nivel botëror kemi raste të reja infektimi në Nigeri, Estoni, Danimarkë e Lituani. Numri i përgjithshëm i të sëmurëve në Evropë ka arritur në 774, 650 janë nga Italia.
MIGENA GORENCA
