Botë
Virusi Korona, 2.850 të vdekur në botë, 45 të shëruar në Itali
28.02.2020 14:27
Virusi Korona ka shkaktuar 2.850 të vdekur në të gjithë botën deri tani....

Virusi Korona ka shkaktuar 2.850 të vdekur në të gjithë botën deri tani. Po ashtu, ka 83 mijë njerëz të infektuar. Pjesa më e madhe e rasteve janë në Kinë, ku janë raportuar 78.824 të prekur dhe 2.788 vdekje.
Jashtë Kinës janë regjistruar 71 raste vdekjesh, 26 në Iran, 13 në Korenë e Jugut dhe në Azinë Lindore, 9 në Japoni, 2 në Francë dhe Hong Kong, 1 në Tajvan dhe Filipine. Lituania, Estonia dhe Zelanda e Re, konfirmuan rastet e para. Në Greqi ka shkuar në 4 numri i të infektuarve. Në Kroaci janë 3.
Për të mbrojtur popullsinë , Izraeli ka bllokuar ardhjen e avionëve nga Italia. Por nga Italia vijnë lajmet e mira. Edhe pse numri i viktimave u rrit këtë të premte në 17, e ai i të prekurve ka shkuar në 653 persona, 45 vetë kanë lëshuar spitalet gjatë ditës së enjte.
Sipas të dhënave të OBSh-së, deri sot vdekshmëria është 2%, por ka gjasa që situata të ndryshojë pasi në Kinë ku edhe ishte epiqendra e virusit, vdekshmëria është ulur në 1%. Të përkujtojmë se edhe nga gripi sezonal për të cilin ekziston vaksina, çdo vit vdesin 60.000 deri 70.000 njerëz , pra nuk ka pse të përhapet panik nga virusi i ri.
