Maqedoni
Tre kadetë të FSK-së në akademinë ushtarake në Shkup
07.10.2014 15:52
Në Ambasadën e Kosovës dhanë betimin 3 kadetët minoritarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës...

Në Ambasadën e Kosovës dhanë betimin 3 kadetët minoritarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët janë regjistruar për të vijuar studimet në Akademinë Ushtarake “Mihajllo Apostollski’ në Shkup.
Kjo është gjenerata e 3-të me radhë e kadetëve nga Kosova, të cilët do të fitojnë njohuri të avancuara nga shkenca ushtarake dhe do të kenë stërvitje specifike, që do të duhet t’i mbizotërojnë në formën më të mirë të mundshme.
“Kjo në të ardhmen do të paraqesë një jetë më të mirë dhe një punë të sigurt. Më pëlqen jeta e disiplinuar, realizimi i detyrave me rregullshmëri dhe në kohën e duhur, d.m.th. detyra të caktuara dhe në vend të caktuar”- deklaroi kadeti, Edin Oruçi.
Ambasadori i Kosovës, Ylber Hysa, tha se ky është një proces shumë i rëndësishëm për Forcat e Sigurisë, sepse po plotësohet me kuadro të ri nga pakicat.
“Kjo është një element shumë i rëndësishëm i ndërtimit të këtyre forcave dhe ndodh pikërisht këtu në Shkup, pasi që këta njerëz shkollohen në Akademinë në Shkup dhe në këtë rast dua t’i falënderoj institucionet e Maqedonisë. Kjo tregon edhe për një lloj bashkëpunimi që kemi mes dy vendeve, i cili do të vazhdojë edhe më tutje”- u shpreh ambasadori i Kosovës, Ylber Hysa.
Në Akademinë Ushtarake në vend ka gjithsej 9 kadetë nga Kosova.
“Në këtë formë ne praktikisht përforcojmë idenë për bashkëpunim rajonal. Ajo që mua më gëzon është që ne krijojmë platformë, e cila në të ardhmen do dëshmojë bashkëpunimin rajonal dhe përforcimin e përpjekjeve të përbashkëta me fqinjët”- tha dekani i Akademisë Ushtarake “Mihallo Apostollski”, Metodija Haxhianev.
Në vitin 2016 pritet që Kosova të ketë gjeneratën e parë të kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët kanë mbaruar Akademinë Ushtarake në Maqedoni.
SANIJE KASAMI
