Maqedoni
LSDM-BESA kundër LSDM-BDI, Mexhiti: S’do ketë qeveri pa fituesin shqiptar
28.02.2020 17:01
Koalicionimi parazgjedhor i LSDM-së me Lëvizjen BESA ka përplasur koalicionin qeverisës LSDM-BDI....

Partia e Ahmetit konsideron se ky koalicion ka për qëllim të pamundësojë artikulimin e kërkesave të shqiptarëve nga partia fituese në bllokun shqiptar. Paralajmëruan se nuk do të ketë qeveri pa partinë fituese te shqiptarët. Nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti, tha se kjo parti gjatë qeverisjes ka kushtëzuar partitë maqedonase për avancimin e statusit të shqiptarëve dhe procesin eurointegrues.
“Ky kushtëzim progresiv paska detyruar partitë maqedonase të kërkojnë dhe të gjejnë parti margjinale shqiptare e cila pranon koalicion pa kushte nga etja për pushtet. Ne si partia më e madhe e shqiptarëve dhe gardian i Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe të Fqinjësisë së Mirë, kemi për detyrë t’i mbrojmë të drejtat e shqiptarëve dhe prandaj Qeveri në këtë vend nuk mund të ketë pa fituesin shqiptar në zgjedhje demokratike. Përfaqësuesin shqiptar në Qeveri e përcakton vullneti i shqiptarëve e jo vullneti i sojuzave dhe kancelarive.”,- deklaroi nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti.
Zaev: LSDM-BESA do jetë fitues te shqiptarët
Edhe LSDM është dakord se qytetarët vendosin për fituesin dhe kush të bëjë kombinimet qeverisëse, por konsideron se ajo në koalicion me Lëvizjen BESA do të jetë fituese edhe në bllokun shqiptar, veçanërisht në njësinë e gjashtë zgjedhore.
“Qytetarët vendosin në zgjedhje se si do të lëvizë vendi i tyre, por edhe kush do të bëjë kombinimet për formimin e qeverisë. Kisha porositur partnerit aktual të koalicionit që të mos mashtrohet, fitues do të jetë koalicioni LSDM-BESA dhe partitë e tjera, jo BDI. Dhe atë, në njësinë e gjashtë zgjedhore ku matet ndikimi i bashkësisë së dytë etnike, bashkësisë shqiptare. Ju siguroj se, ne do të jemi fitues në njësinë e gjashtë zgjedhore.”,- u shpreh kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Zaev sqaroi se koalicioni LSDM - Lëvizja BESA ka të përbashkëta programore në fushën e ekonomisë dhe në zbatimin e reformave. Kërkoi reforma brenda partive dhe la hapur mundësinë për zgjerim të koalicionit.
SHPËTIM NUREDINI
