Maqedoni
Virusi Korona, mjete dezinfektuese në shkolla. Dezinfektohen autobusët, qytetarët nuk i frikësohen virusit, ndjekin udhëzimet
28.02.2020 17:39
Të gjitha shkollat në Shkup kanë ndërmarrë masa për parandalimin e përhapjes së virusit Korona...

Tashmë shkollat kanë blerë mjete dezinfektuese edhe atje ku nuk ka pasur, sipas udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Në hyrje të shkollës kemi pajisje për dezinfekti. Çdo nxënës e ka për obligim kur hyn dhe del prej shkolle të dezinfektojë duart. Gjithashtu kemi bërë dezinfektimin e të gjitha klasave. Jemi të pajisur me të gjitha mjetet higjienike.”,- tha drejtori i Shkollës "Jashar Bej Shkupi", Rrahim Maksuti.
“Çdo ditë rreth 15 minuta të gjithë arsimtarët e shkollës u ligjërojnë nxënësve që të ndërmarrin të gjitha masat për parandalimin e virusit Korona.”,- tha arsimtarja në Shkollën "Jashar Bej Shkupi", Vildan Dauti.
Nuk janë vetëm objektet shkollore që kanë filluar të dezinfektohen, por është edhe transporti publik, konkretisht autobusët e qytetit, me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit Korona.
Shumë qytetarë janë të frikësuar, por ka edhe nga ata që nuk shqetësohen fare. Të gjithë e dinë se duhet të kenë kujdes në këtë periudhë virusesh.
“Maska patjetër të vendosim, por është vështirë të gjejmë nëpër barnatore, prandaj edhe nuk jam i përgatitur, të them të drejtën nuk brengosem shumë nga ky virus.”,- u shpreh një qytetar.
“Nuk jam i përgatitur, as nuk frikësohem. Për çfarë të frikësohem? E gjithë kjo më duket gënjeshtër dhe nuk besoj se ekziston një virus i tillë.”,- tha një qytetar.
Fletushka për udhëzimin dhe mbrojtjen nga virusi Korona janë shpërndarë edhe nëpër pikat kufitare.
Rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë janë që të shmangen kontaktet me personat e infektuar dhe të mbahet higjienë personale.
FARIJE DAUTI BAKIJU
