Maqedoni
Volers dhe Jashari në Gostivar
07.10.2014 16:08
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Poll Uollers dhe ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, vizituan sot Komunën e Gostivarit...

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Poll Uollers dhe ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, vizituan sot Komunën e Gostivarit dhe më pas realizuan edhe një vizitë në Gjykatën e Apelit në Gostivar.
Në takimin e ambasadorit Uollers me kreun e Komunës, Nevzat Bejta, janë diskutuar temat aktuale në vend, bashkëpunimi ndërmjet qeverisjes lokale dhe agjencive amerikane, sidomos funksionimi i pushtetit lokal dhe zbatimin e decentralizimit.
Kryetari Bejta, pasi që dha një pasqyrë të shkurtër për funksionimin e Komunës së Gostivarit, e informoi ambasadorin Uollers për punët e realizuar në komunë prej marrjes së mandatit deri në ditët e sodit, duke potencuar se është duke u punuar në çdo vendbanim urban dhe rural të komunës, pa mos bërë dallime të komuniteteve që jetojnë në ato vendbanime.
Kryetari Bejta, e falënderoi ambasadorin, Poll Uollers, për përkrahjen e vazhdueshme të ambasadës dhe popullit amerikan për zhvillimin e Maqedonisë si shoqëri demokratike. Ambasadori Uollers, potencoi që Komuna e Gostivarit duhet të rritet dhe të ndiqet si model për funksionimin e mirëfilltë të bashkëjetesës midis komuniteteve dhe realizimit të barabartë të punëve në praktikë.
Uollers, i shoqëruar nga ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari dhe kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, realizuan edhe një vizitë pune në Gjykatën e Apelit në Gostivar, ku u pritën nga kryetari, Shefajet Hajdari.
Gjatë takimit të punës, kryetari i Gjyqit të Apelit i informoi mysafirët për funksionimin e institucionit të cilin ai e udhëheq, për të arriturat dhe rezultatet e këtij institucioni të lartë gjyqësor.
Ministri Jashari, rikonfirmoi qëndrimin e tij publik se angazhohet të reformojë sistemin gjyqësor në Maqedoni, me qëllim që i njëjti të jetë transparent, i drejtë dhe i besueshëm kundrejt gjithë qytetarëve të Maqedonisë.
Ambasadori Uollers, potencoi që përkrahja e sistemit gjyqësor në Republikën e Maqedonisë është një prej qëllimeve të shtetit që ai përfaqëson dhe ajo përkrahje do të vazhdojë edhe më tej si në aspekt teknik ashtu edhe në aspekt edhe të ngritjes profesionale.
LULZIM HAZIRI
