Botë

Qëndrimi i Kurtit për taksën, BE me vlerësim pozitiv, SHBA kërkon heqje të plotë. Vuçiq: Heqja e pjesshme e taksës, mashtrim i ri i Kurtit. Osmani: Vendimin për taksën e merr qeveria, LDK pro

28.02.2020 17:56

Qeveria e Kosovës javën e ardhshme pritet të sjellë vendim që nga 15 marsi të heq tarifën për lëndën e parë...

Qeveria e Kosovës javën e ardhshme pritet të sjellë vendim që nga 15 marsi të heq tarifën për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
 
Një paralajmërim të tillë është mirëpritur nga zyra e përfaqësuesit të Lartë të BE-së. 
 
“Shumë kohë është humbur. Besimi duhet të restaurohet në mënyrë urgjente. Serbia dhe Kosova duhet ta krijojnë një ambient që është i favorshëm për vazhdimin e dialogut, për të mirën e të dyja vendeve”,- thuhet në deklaratë. 
 
Por, i dërguari amerikan për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, e ka cilësuar idenë e Kurtit si masë gjysmake. 
 
“Pozicioni ynë është mjaft i qartë: tarifat duhet të hiqen plotësisht. Kurti është duke bërë një gabim serioz dhe kjo i është bërë sot e qartë presidentit, Hashim Thaçi, në Shtëpinë e Bardhë”,- ka shkruar Grenell në Twiter. 
 
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se kokëfortësia, mungesa e veprimeve dhe e vendimeve të mençura, ka thelluar izolimin e Kosovës dhe ka prishur në mënyrë të ndjeshme raportet e saj speciale me SHBA-në.
 
Për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, paralajmërimi për anulimin e pjesshëm të taksës është një mashtrim i ri i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. 
 
“Një ditë përpara udhëtimit tim në Uashington ai vendosi për taksën, në mënyrë që të mos e shtroja si problematikë atje”,- ka thënë presidenti serb.
 
Me kërkesë të opozitës Kuvendi i Kosovës të hënën do të mbajë seancë të jashtëzakonshme për tarifën ndaj mallrave serbe.
 
“Ai vendim është ekzekutiv i qeverisë, nuk është vendim i kuvendit. Në kuvend do të debatohet, siç edhe do të bëjmë të hënën, por është vendim i qeverisë të cilin do ta shohim ditët në vijim.”,- tha kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.
 
Kryeministri Kurti thotë se fillimi i heqjes së tarifës, nisur me atë për lëndën e parë, “është një shenjë e vullnetit të mirë”.
 
Ai u ka bërë ftesë autoriteteve të Serbisë që si përgjigje ndaj vendimit të palës së Kosovës, të zotohen se do ta ndërpresin fushatën për çnjohjen e pavarësisë, si dhe të nisin me eliminimin e barrierave tregtare jotarifore ndaj Kosovës.
 
GYLTENE SINANI