Maqedoni
Koalicioni LSDM-BESA, Sela: Respektojmë autonominë, por është e gabuar. Gashi: E drejtë e partive, beteja jonë me BDI-në
28.02.2020 18:12
Aleanca për Shqiptarët vlerëson se koalicioni parazgjedhor mes LSDM-së dhe Besës...

Aleanca për Shqiptarët vlerëson se koalicioni parazgjedhor mes LSDM-së dhe Besës nuk është koalicion i rrezikshëm, por as nuk e maksimalizon votën shqiptare, madje krijon kushte që në të ardhmen me vetëm eksponentë shqiptarë brenda tyre, partitë maqedonase të injorojnë vullnetin e shqiptarëve të shprehur përmes përfaqësuesve të tyre politikë.
“Partitë politike kanë autonominë e tyre dhe ne e respektojmë autonominë e çdo subjekti politik, por qëndrimi ynë është që një koalicion i tillë është i gabuar, një koalicion i tillë nuk maksimalizon votën shqiptare, por përkundrazi, krijon parakusht që në një të ardhme dikush të marrë të drejtën, duke mos pasur as parti politike brenda, por vetëm eksponentë shqiptarë brenda, të thyejë atë parim të vendosur në vitet ’90-a”,- tha kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.
Sa i përket deklaratës së kreut të LSDM-së se do jetë fitues tek shqiptarët e veçanërisht në njësinë 6, Sela përkujton se në këtë njësi “lufta politike” do jetë ekskluzivisht mes partive shqiptare. Edhe kryetari i Alternativa-s, Afrim Gashi, vlerëson se rëndësi ka lufta në bllokun shqiptar e jo në atë maqedonas.
“Partitë politike janë të organizuara në baza etnike dhe LSDM natyrisht në betejë me VMRO-në për vota maqedonase merr parti të ndryshme në koalicion dhe ne e shohim këtë koalicionim vetëm në atë prizmë. Beteja jonë zhvillohet mes koalicionit tonë dhe BDI-së, ne jemi të bindur se do të fitojmë.”,- u shpreh kryetari i Alternativës Afrim Gashi.
Koalicion parazgjedhore deri më tani kanë bërë LSDM–BESA dhe Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.
Nga VMRO-DPMNE thonë se nuk do të ketë koalicion me ndonjë parti shqiptare, ndërsa nga PDSh dhe RDK ende nuk flasin për koalicione të mundshme me asnjërin nga blloqet politike.
SANIJE DURAKU
