Maqedoni
Virusi Korona, shoferi i furgonit në izolim në Strumicë. Fiplipçe: Anulohen karnevalet, ngjarjet sportive pa tifozë
28.02.2020 18:35
Shoferi i furgonit që e ka sjellë nga Milano gruan 50 vjeçare - e para bartëse e virusit Korona...

Shoferi i furgonit që e ka sjellë nga Milano gruan 50 vjeçare - e para bartëse e virusit Korona, është ankuar në dhimbje në kraharor dhe kollitje dhe menjëherë është izoluar në Spitalin e Strumicës.
Sipas ministrit të shëndetësisë, Venko Filipçe, ky person ka qenë në izolim shtëpiak dhe nuk ka kontaktuar me askënd. Ai vetë është paraqitur në shërbimet dhe po testohet.
“Janë marrë ekzemplarë për analizë dhe varësisht prej rezultateve do të vendoset se i njëjti a do të vazhdojë shërimin në Shkup apo në Strumicë. Pacienti nuk ka pasur kontakt me persona të tjerë nga momenti që ka arritur në vendin tonë. Për rastin e fundit të dyshimtë rezultatet dolën negative, ndërsa pacientja e vetme e cila është e infektuar është në gjendje stabile shëndetësore.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Për të prevenuar përhapja e virusit Korona, Filipçe theksoi se do të anulohen dy karnevale, ai i Strumicës dhe i Prilepit. U rekomandohet organizatorëve të ngjarjeve sportive të njëjtat të mbahen pa praninë e publikut. Ndalesa do të vlejë deri më 6 mars e më pas do të vendoset në varësi të zhvillimit të virusit.
“Këtë po e potencojmë në mënyrë specifike për këto dy karnevale dhe ngjarje sportive, sepse presim që në këto evenimente të vijnë njerëz nga Italia veriore të cilat për momentin atje punojnë. Për momentin nuk ka asnjë arsye epidemiologjike që të ketë ndalesë për ngjarje tjera në çdo lloj vendi tjetër.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Qeveria po ashtu do të kontrollojë çmimet e të gjitha materialeve mbrojtëse, si të maskave dhe dorezave, pas informacioneve se ka ngritje drastike të çmimeve në barnatoret e vendit .
Nuk ka hapësirë për panik, siguron ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili shtoi se po vëzhgohet me kujdes situata dhe po merren të gjitha masat preventive për virusin Korona.
FLUTURA LATIFI
