Maqedoni
Virusi Korona, ulje e dërgesave nga Kina. Bashkëpunimi doganor, strategji e përbashkët kundër rreziqeve
28.02.2020 18:57
Virusi Korona ka shkaktuar uljen e numrit të dërgesave që vijnë nga Kina...

Në takimin e drejtorive të doganave të Ballkanit Perëndimor në Ohër u tha se pritjet janë që në periudhën e ardhshme numri i dërgesave që kryesisht porositen përmes internetit të jetë edhe më i vogël.
“Ka ulje të caktuar të numrit të dërgesave. Kjo nuk është për shkak të pranisë së virusit Korona në Ballkan, por sepse vetë ai ka shpërthyer në Kinë, ndërsa shumica e dërgesave elektronike vijnë nga Kina dhe kjo ndoshta është për shkak të dërgesës së ngadalësuar të tyre për blerësit.”,- tha drejtori i doganave në RMV, Gjoko Tanasovski.
Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë rreziqe të njëjta për sa i përket procedurës së doganave. Andaj sipas drejtorit të doganave të Shqipërisë, Gjon Bardhi, duhet ndërtuar strategji të përbashkëta kundër rreziqeve.
“Ne duhet të ndërtojmë strategjitë tona, për të ndërtuar këto profile risku të përbashkëta, për të ndërtuar njësi komunikimi të këmbimit të informacionit dhe ky këmbim i informacionit të bëhet në kohë reale për rreziqet apo për mallra të paligjshëm, apo mallra kontrabandë.”,- tha drejtori i doganave të Shqipërisë, Gjon Bardhi.
Eliminimi i barrierave tarifore, thjeshtimi i inspektimeve në procedurat e licencimit, ulja maksimale e formalitetit, vendosja e shkëmbimit efikas të të dhënave tregtare dhe njohja e ndërsjellë e dokumenteve në kufi, përfshirë edhe operatorin ekonomik të autorizuar, janë parashikuar në agjendën e hollësishme strukturore të aktiviteteve që do të zbatohen nga shërbimet doganore të rajonit për zbatimin e Planit të Veprimit të Zonës Ekonomike Rajonale nën Procesin e Berlinit.
ERSAN PAJAZITI
