Maqedoni

Hasani: Angazhim për hekurudhën Maqedoni- Shqipëri

07.10.2014 16:17

Problemet të cilat i kanë pasur banorët e Kumanovës në kryqëzimin e hekurudhës me rrugën në Llopa...

Problemet të cilat i kanë pasur banorët e Kumanovës në kryqëzimin e hekurudhës me rrugën në Llopat, tanimë nuk do t’i kenë, pasi që Drejtoria e Hekurudhave të Maqedonisë po kryen punimet për ndërtimin e nënkalimeve dhe mbikalimeve, për të shmangur të gjitha aksidentet mes trenave dhe automjeteve. 
 
Drejtori i kësaj ndërmarrje, Irfan Hasani, thotë se punimet zhvillohen në të gjithë trasenë e korridorit 10 dhe zhvillohen në disa faza, duke filluar nga shpronësimi i pronave, sanimi i hekurudhës aktuale dhe ndërtimi i hekurudhës së re. 
 
“Jemi këtu se pas nesh zhvillohen punimet për ndërtimin e një ure dhe dy kalimeve, që nënkupton rregullimin e transportit hekurudhor me atë tokësor dhe tanimë nuk do të kemi kryqëzim, por nënkalime, që do të jetë për transportin tokësor, ndërsa  mbikalimi, ai hekurudhor, gjë e cila do t’iu mundësojë edhe qytetarëve që të shfrytëzojnë këto mbikalime”- deklaroi drejtori i Hekurudhave të Maqedonisë, Irfan Hasani.
 
Drejtori Hasani, thotë se ata janë duke punuar për zhvillimin e komunikacionit hekurudhor në pjesën e korridorit 8, Kërçovë-Linë, që lidh Maqedoninë me Shqipërinë. 
 
“Momentalisht kemi një kompani e cila është zgjedhur, e financuar nga komponenta IPA, e cila në afat prej 22 muajve duhet të bën projektin kryesor ndërtues, Kërçovë-Linë. Nga data 15 ne do t’ia dorëzojmë trasenë kompanisë, e cila do të bëjë dizajnin kryesor. Dhe prej atij momenti do të punojmë në projektin infrastrukturor, që nënkupton shpronësimin e tokës ku do të kalojë hekurudha dhe e dyta, gjetjen e mjeteve financiare për të investuar në atë pjesë”- tha Hasani.
 
Projekti për sanimin dhe ndërtimin e korridorit 10 në pjesën hekurudhore kushton rreth 46 milionë euro, ndërsa i tëri do të përfundojë në shtator të vitit 2017.
 
AFRIM TANALLARI