Rastet e para të vdekjes nga koronavirusi në Australi dhe Tajlandë, i pari i të infektuarit në Irlandë
Autoritetet shëndetësore australiane informuan se në vend është regjistruar rasti i parë i vdekjes nga koronavirusi...

Autoritetet shëndetësore australiane informuan se në vend është regjistruar rasti i parë i vdekjes nga koronavirusi, përderisa njëkohësisht në Irlandë është shënuar rasti i parë i të infektuarit nga virusi.
“Në Australi sot herët në mëngjes si pasojë e infektimit, në spital në Pert, humbi jetën një burrë 78-vjeçar”, deklaroi përfaqësuesi i autoriteteve shëndetësore nga Australia Perëndimore”, Endrju Robertson.
Bëhet fjalë për pacient, i cili bashkë me bashkëshorten, kishte qëndruar në kroçeren “Dajmond Princes”, ku të dy ishin infektuar.
Diagnoza i ishte përcaktuar para dhjetë ditëve derisa ishte në izolim në Hauard Springs, në afërsi të Darvinit, pasi dy javë kishte kaluar në karantinën e kroçeres, para portit në qytetin japonez Jokahoma.
Bashkëshortes së tij, të moshës 70- vjeçare, gjithashtu para disa javëve i ishte diagnostikuar virusi, por ajo deri më tani është në gjendje stabile dhe po gjendet në spital.
Te mbi 700 udhëtarë dhe anëtarë të ekuipazhit të kroçeres është konfirmuar koronavirusi, përderisa anija kah fundi i shkurtit ishte ndaluar para Jokahomas, ndërsa prej tyre gjashtë persona humbën jetën.
Si-En-En informon se edhe në Tajlandë është vërejtur viktima e parë nga koronavirusi, ndërsa atje gjithsej 42 persona të infektuar.
Qeveria irlandeze mbrëmë vonë bëri të ditur se është regjistruar rasti i parë i të sëmurit nga koronavirusi, ndërsa ai kishte lidhje me infektimin në Italinë e veriut.
Ministri irlandez i Shëndetësisë, Toni Hallohan deklaroi se “kjo është e papritur” dhe se autoritetet shëndetësore po përgatiten për situatën nga paraqitja e virusit që në janar.
Siç bënë të ditur mediet irlandeze, bëhet fjalë për një burrë nga lindja e vendit./mia
