Maqedoni
Haraçinasit ankohen për mungesë të kanalizimit dhe autobusëve
07.10.2014 18:05
Dikur pjesë e qytetit të Shkupit, por prej vitit 1996 Haraçina dhe tre vendbanime të tjera me rreth 15 mijë banorë mori statusin e komunës...

Por, si komunë rurale, Haraçina, që atëherë përballej me probleme të shumta, si mungesën e ujësjellësit, asfaltimin e rrugëve, por edhe rregullimin e trotuareve. Disa nga këto probleme, me shumë përpjekje ndër vite, nga pushteti lokal kanë gjetur zgjidhje, por banorët e Haraçinës thonë se kanë edhe një sërë problemesh.
Kanalizimi, por edhe qarkullimi më i shpeshtë i autobusëve drejt kryeqendrës janë problemet për të cilat banorët e Haraçinës kërkojnë zgjidhje urgjente. Nga komuna theksojnë se po punojnë në zgjidhjen e këtyre problemeve, por edhe në projekte tjera, me interes për banorët e kësaj komune.
Presim me orë të tëra për të shkuar në qytet, ndërsa kanalizimi prej vitesh është problem, ankohen haraçinasit.
“Që nuk janë në rregull ajo dihet, kanalizimi është problem, autobusë të shtunën dhe të dielën nuk ka”- u shpreh një banorë.
“Autobusë nuk ka hiq, paradite vinë, pasdite nuk ka, as gratski që janë ato. Ato privat kur ka udhëtarë vinë, kur nuk ka, nuk vinë. Pasdite nuk ka hiq prej orës tre, në dy tre orë ka autobus”- tha një tjetër banorë.
“Po, po pres, ka nja një orë e diçka. Në 6 e diçka shkoj në shkollë, ka njëherë ka, ka njëherë jo, duhet me prit shumë. Mandej kur të vijmë këndej ka shumë guzhv, s’ka vend”- theksoi një banorë.
Në këto projekte po punon edhe pushteti lokal, thotë kryetari i kësaj komune, Brahim Ajvazi, i cili sa i përket shpeshtimit të autobusëve, tanimë ka vendosur kontakte me udhëheqësinë e Ndërmarrjes së Transportit Publik të Shkupit dhe është parashtruar kërkesë që sidomos të shpeshtohen autobusët nga ora 6 deri në orën 20.
Nëse çështja e autobusëve nuk rregullohet, atëherë Ajvazi nuk përjashton edhe mundësinë e protestës nga ana e qytetarëve.
“Takimin që do ta kemi brenda këtyre ditëve, në qoftë se nuk ka zgjidhje, atëherë duhet të gjejmë një variant tjetër, fundi i fundit edhe le të protestojnë, ta sheh bota, qeveria, ta shohin funksionarët këtë gjest, se në Haraçinë nuk po funksionon”- deklaroi kryetari i Komunës së Haraçinës, Brahim Ajvazi.
Po punohet edhe në projektin e kanalizimit, por ky është një projekt më i madh, që kërkon më shumë kohë, thotë Ajvazi.
“E kemi edhe në program zgjedhor dhe premtimi ynë që ishte nga ana e pushtetarëve tanë në qeveri dhe mendoj se edhe ky projekt ka hyrë në program dhe të shohim në vitin 2015-216 në vijim, sepse ky është projekt i madh që nuk kryhet menjëherë, sepse vendbanimi është i madh dhe nëse arrimë këtë projekt ta fusim të punohet dhe zbatohet, zgjidhet një problem që është numër një”- tha Ajvazi.
Ai, njëherit thekson se komuna po punon edhe në disa projekte të tjera, siç është ndërtimi i dy shkolla periferike, pasi shkollat që gjenden në fund të fshatit janë larg, sidomos për fëmijët nga klasa e parë deri në klasën e pestë.
Po ashtu, një problem tjetër është edhe deponia për pastrimin e së cilës mungon makineria, ndërsa Haraçina për këtë ka marrë edhe vërejtje nga Ministria e Ekologjisë.
Por, për zgjidhjen e këtij problemi, Ajvazi kërkon ndihmën e Ministrisë së Ekologjisë, ashtu siç kërkon mbështetje edhe nga Ministria e Arsimit dhe donatorët për shkollat periferike.
Ai, po ashtu theksoi se deri në fund të vitit do të mbyllet edhe projekti me mbulimin e kanalit që kalon në afërsi të shkollës dhe asfaltimi i një rruge në drejtim të fshatit Bërnjacë prej një kilometri, e cila rregullohet në bashkëfinancim me Drejtorinë për Zhvillim Rural dhe Komunën e Haraçinës.
GYLTENE SINANI
