Maqedoni
Virusi Korona, s’ka rast të ri, vlen ndalesa për tubimet publike
02.03.2020 11:05
Në vend nuk ka asnjë rast të konfirmuar me virusin korona...

50 vjeçarja që gjendet në Klinikën infektive nga java e kaluar, është në gjendje të mirë shëndetësore.
Vazhdojnë edhe këtë javë rekomandimet që të mos mbahen tubime publike, si masë për mbrojtje nga virusi Korona. Fundjavën që kaloi u anuluan tubimet publike, ndërsa u anuluan edhe karnavalet në Prilep dhe Strumicë. Të premten qeveria u rekomandoi edhe organizatorëve të ngjarjeve sportive, që ndeshjet në periudhën e konfirmuar deri më 6 mars, të luhen pa publik. Rekomandimi vlen edhe për manifestimet kulturore-artistike.
Kompanive dhe institucioneve u rekomandohet të mos lejojnë të vijnë në punë të punësuarit të cilët gjatë kësaj periudhe kanë qenë në Itali. Ata duhet të qëndrojnë 14 ditë në izolim shtëpiak – periudha sa zgjat inkubacioni i virusit. Gjithashtu apelohet të mos udhëtohet në vendet ku ka epidemi, pa ndonjë nevojë të madhe. Qytetarët duhet t’i respektojnë rekomandimet për mbrojtje nga virusi Korona, mes të cilave është edhe larja e obligueshme dhe e shpeshtë e duarve me sapun dhe ujë, apo të përdoret pastrues për duar që përmban alkool. Gjatë kollitjes apo teshtitjes të mbrohen goja dhe hunda.
